Këshilltari kryesor shkencor i qeverisë britanike, Sir Patrick Vallance, tha se Mbretëria e Bashkuar mund të shënojë nga 50,000 raste të koronavirusit në ditë, nëse nuk merren masa shtesë kundër përhapjes së virusit të ri.
Përpos kësaj shifre të madhe të infektimeve, Vallance parashikoi se vendi ishullor mund t’i shënojë nga 200 viktima të koronavirusit në ditë nga mesi i nëntorit, shkruan BBC.
Ky paralajmërim erdhi në kohën kur kryeministri Boris Johnson po përgatitet që ta drejtojë një takim urgjent të komitetit Cobra të martën në mëngjes dhe më pas të dalë me një deklaratë në Dhomën e Ulët të Kuvendit.
“Pesëdhjetë mijë raste në ditë mund të priten një muaj më vonë, prandaj mesi i nëntorit mund t’i sjellë mbi 200 viktima në ditë”, tha Vallance.
Sipas tij, rritja e numrit të rasteve nuk është pasojë e shtimit të testimeve për shkak se është rritur edhe përqindja e atyre që po dalin pozitivë në testin për koronavirus.
Përqindja e personave të infektuar me Covid-19 në nivel vendi vlerësohet të jetë nën 8 për qind, ndonëse në Londër kjo shifër mund të jetë 17 për qind.
Britania e Madhe është një ndër shtetet më të prekura nga pandemia dhe me numrin më të lartë të viktimave në Evropë dhe në mbarë botën.