Kryeministri britanik, Rishi Sunak, nisi fushatën e ethshme zgjedhore, menjëherë pas njoftimit të beftë për zgjedhje parlamentare, më 4 korrik. Ai premtoi stabilitet dhe rritje ekonomike, ndërsa lideri laburist u zotua t’i japë fund kaosit. Sondazhet i japin përparësi laburistëve që mund të rikthehen në pushtet pas 14 vitesh.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak, dhe rivali i partisë Laburiste, Keir Starmer nisin fushatën elektorale, një ditë pasi Sunak befasoi vendin duke shpallur zgjedhje të parakohshme më 4 korrik.
Sunak, partia Konservatore e të cilit, është në disavantazh me 20 pikë përqindje ndaj Laburistëve në sondazhe, i dha fund spekulimeve, lidhur me zgjedhjet të mërkurën, e pa humbur kohë, në mbrëmje nisi fushatën në lindje të Londrës. Ai u tha mbështetësve se britanikët duhet të zgjidhnin të ardhmen e tyre, teksa i mëshoi sinjaleve për rimëkëmbje ekonomike.
“Vitet e fundit kanë qenë të vështira. Jemi përballur me Covid-19 dhe më pas me rritjen e faturave të energjisë si pasojë e luftës së Putinit në Ukrainë. Por së bashku mësuam sot se kemi ulur inflacionin nga 11 në 2 për qind, ndërsa ekonomia po rritet me ritme më të shpejta se në Gjermani, Francë dhe SHBA.”
Sunak, i cili vendosi të shpallte zgjedhjet, në një ditë me lajme të mira ekonomike, paralajmëroi se Laburistët do të kërcënonin stabilitetin duke rritur taksat e duke përmbysur politikën më përfaqësuese të tij, atë të dërgimit të emigrantëve të paligjshëm në Ruanda.
Rivali i tij, Starmer, një ish-avokat 61-vjeçar pretendon se Laburistët do të sjellin ndryshimin për elektoratin.
“Një votë për Laburistët është votë për stabilitetin ekonomik dhe politik. Një votë për të ndalur kaosin. Është koha për ndryshim.”
Nëse Laburistët fitojnë zgjedhjet, do t’i jepnin fund udhëheqjes 14-vjeçare të Konservatorëve, ndërsa Britania e Madhe që dikur njihej për stabilitetin politik, do të kishte 6 kryeministra në 8 vite, për herë të parë që prej viteve 1830.
Lëvizja e beftë e Sunak për zgjedhjet detyroi sekretarin e punëve të jashtme David Cameron të ndërpresë vizitën në Shqipëri për të marrë pjesë në mbledhjen e kabinetit. /CNN