Kompania britanike që merret me modifikimin e veturave, MS-RT, vitin e kaluar ka tërhequr vëmendjen me modelin e modifikuar të Fordit, Transit Custom, ndërsa tani sjell kreacionin më të ri, Transit Connect po ashtu të modifikuar.
Kreacioni i kësaj kompanie quhet MS-RT Transit Connect Launch Edition dhe raportohet se do të ofrohet në seri të kufizuar prej vetëm 40 kopjeve, transmeton Koha.net. Po ashtu, thuhet se çmimin fillestar ky model i ri do ta ketë 23.995 funte për versionin me marshin manual me 6 shpejtësi.
MS-RT për këtë Transit Connect Lauch Edition ka zgjedhur maskën e re të përparme, mbrojtësin e përparmë shtesë (spoiler), mbrojtësit anësor, mbrojtësin shtesë në çati (spoiler) dhe mbrojtësin e pasmë shtesë (difuzer). Po ashtu, ka zgjedhur edhe xhamat e errët, rrotat “OZ Racing” prej 18-inç me goma “Michelin”, si dhe sistemin e shkarkimit të gazrave nga çeliku.
Sa i përket interierit, ai vjen me lëkurë Nappa, timonin sportiv me disa detaje nga fibra të karbonit, tepihët MS-RT, dritat LED, sistemin për argëtim dhe informim (infotainment), navigacion, kamerën e pasme, etj.
Duhet theksuar se MS-RT për këtë veturë komerciale sportive ofron edhe paketën për përforcimin e motorit, si dhe se njëra nga ngjyrat e eksterierit në ofertë është ekskluzive – ngjyra gri “Magnetic”.