Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca si dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Ferit Hoxha, ishin pjesë e një takimi online të organizuar nga Sekretarja britanike Cooper për ngushticën e Hormuzit, ku u diskutua për përpjekjet e koordinuara mes aleatësh për rihapjen e kësaj rruge detare kritike.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në postim në X ka shkruar:
Sot mora pjesë në takimin virtual të thirrur nga Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, që bëri bashkë homologë nga mbi 40 vende për të adresuar nevojën urgjente për të rivendosur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit pas mbylljes së saj nga Irani në kontekstin e konfliktit të vazhdueshëm.
Diskutimet u përqendruan në përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare, përmes mjeteve diplomatike dhe politike, por jo vetëm, për të siguruar rihapjen e sigurt dhe të qëndrueshme të kësaj rruge detare kritike, e cila është jetike për sigurinë globale të energjisë dhe stabilitetin ekonomik.
Uniteti, koordinimi dhe një qasje ndërkombëtare e bazuar në rregulla janë thelbësore. Liria e lundrimit është një parim themelor që duhet të respektohet.
Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me partnerët dhe aleatët për të mbështetur përpjekjet e deeskalimit dhe për të kontribuar në iniciativa dhe zgjidhje kolektive.