Narrativat që përdor Rusia ndaj Ukrainës dhe Serbia ndaj Kosovës kanë mjaft ngjashmëri, thotë hulumtuesja e lartë në Institutin Octopus, Bleta Brovina, e cila ka publikuar një punim shkencor ku krahason narrativat që këto dy vende përdorin.
Historia dhe identiteti kombëtar, viktimizimi, dhe legjitimiteti i shtetësisë janë tri narrativat kryesore përmes të cilave ajo shtjellon ngjashmëritë dhe dallimet mes dezinformatave të Rusisë dhe Serbisë.
Në një intervistë për The Geopost, Brovina thekson rëndësinë e vetëdijes për dezinformatat, duke nxjerrë në pah nevojën e informimit të drejtë mbi këto tema.
“Unë i kam përmendur në punimin tim 3 narrativat kryesore, është narrativa historike dhe e identitetit kombëtar që përdoret qoftë nga Rusia, qoftë nga Serbia, Rusia e përdor ndaj Ukrainës dhe Serbia e përdor ndaj Kosovës. Është narrativa tjetër, ajo e viktimizimit që të dyja vendet, Rusia dhe Serbia e përdorin këtë narrativë për tu portretizuar karshi qoftë vendeve të veta, popullatës së vet, qoftë edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë si viktima, që nuk është vërtetë, është narrativë jo e vërtetë. Dhe është narrativa e tretë, është ajo e legjitimitetit të shtetësisë dhe sovranitetit, të cilat qoftë Rusia, qoftë Serbia e përdorin. Rusia për ta kontestuar sovranitetin dhe shtetësinë e Ukrainës, ndërsa Serbia e përdorur Kosovën, në rastin e Kosovës për ta kontestuar shtetësinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj. Për dallim, këto janë narrativa që janë të përbashkëta, ndaj Kosovës që përdor Serbia dhe ndaj Ukrainës që e përdor Rusia.
Mirëpo, për dallim nga Rusia, e cila e përdor religjionin ortodoks ndaj ukrainasve, për ta ndërtuar narrativën e saj se janë një popull me Rusinë dhe komplet, duke injoruar identitetin e vetë unik qe e ka populli Ukrainas, Serbia nuk ka mundur ta bëjë këtë për shkak të religjionit jo të njëjtë që ka popullata serbe në krahasim me popullatën e Kosovës, për këtë arsye ka përdorur një narrativë jo të vërtetë që kinse popullata kosovare ka ardhur nga Shqipëria dhe janë ardhacak.
Këtu është dallimi në mes këtyre të dyjave, sepse ata nuk mundën ta përdorin në këtë rast për shkak të gjuhës dhe kulturës që e ka krejtësisht të ndryshme, edhe religjioni që e ka krejtësisht të ndryshme popullata e Kosovës, Serbia nuk ka mundur ta ndërtojë në mënyrën qysh e ka ndërtuar Rusia në Ukrainë, por ka përdorur një narrativë të pavërtetë tjetër të cilën vazhdon ta përdorë, qoftë për qëllime të brendshme, qoftë për kohezion politik, qoftë për rritjen e nacionalizmit në Serbi, por edhe për të fituar përkrahje, qoftë nga partnerët tonë ndërkombëtarë, të cilët po na ndihmojnë mjaft që Kosova të ecë përpara drejt rrugës së vet evropiane. Kështu që ne duhet të kemi kujdes që këto narrativa t’i studiojmë dhe popullata qoftë të brendshme, qoftë rajonale, qoftë evropiane dhe më gjerë, të njoftohet lidhur me to”, ka theksuar Brovina.