Zëdhënësi I Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka paralajmëruar se bisedimet në nivel ekspertësh do të zgjasin për sa kohë nuk do të arrihet pajtueshmëri mes Kosovës e Serbisë dhe se në këto takime do të diskutohen “të gjitha çështjet e hapura”.
Deklarimi i Stanos vjen një ditë pas takimit të radhës të koordinatorit shtetëror për dialogun, Skender Hyseni me drejtorin e Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në Bruksel.
Stano ka thënë se çështjet e hapuar duhet të zgjidhen njëherë e përgjithmonë, që më pas t’i hapet rrugë një marrëveshje ligjërisht obliguese.
“Takimet e niveleve të ekspertëve dhe të funksionarëve të lartë do të zgjasin derisa Prishtina e Beogradi të arrihen marrëveshje të pranueshme për të dy palët”, ka thënë Stano, shkruan B92 të premten.
Hyseni të enjten akuzoi palën serbe se ishte jokonstruktive në takimin e fundit dhe se hapi tema, për të cilat tashmë është arritur marrëveshje.
Ndërkohë Stano shtoi se synimi i takimit të Hysenit e Gjuriqit është të përgatitet një takim mes krerëve të shteteve.
“Synimi i takimeve të ekspertëve është që të përgatitet takimi i radhës në nivel të lartë, i cili do të jetë në shtator mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, por edhe që të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura të cilat duhet të zgjidhen, në mënyrë që të shkohet drejt normalizimit të marrëdhënieve si dhe drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme”, ka thënë Stano.