Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini në një prononcim për Ekonomia Online, tha se paralajmërimi i rritjes së pagave për punëtorët e sektorit publik prej 4 për qind është mashtrim.
“Ngritja e pagave në 4% nuk është ngritje. Është vetëm mashtrim edhe pse mund ta them ashtu? Mashtrim është vetëm për punëtorët për qeveritarët nuk është mashtrim, sepse ata gjepat e vet po i mbushin ndërsa punëtoret po i lënë anash edhe pse fitimet edhe mjetet i marrin nga punëtorët”, tha ai.
Madje sipas tij, rritja që kreu i ekzekutivit ka bërë për pagën e tij dhe disa pozitave udhëheqëse në Qeveri është papjekuri.
“Papjekuri. Për mua është papjekuri. Unë kam menduar që ndryshe do të veprohet, por është një papjekuri për të cilën duhet të bëhen analiza më të thella. Paga mund të dallohet nga paga e punëtorit 1 me 3 ama 1 me 10-12 nuk ka ndodhë asnjëherë. Për mua është një dështim, një lëshim i pa matur”.
Ai tha se ngritja e pagave duhet të bëhet në mënyre lineare për të gjithë e jo me përqindje, raporton EO.
“Pse nuk është bërë që të shkojë në 40 ose 50 euro ngritje për të gjithë në mënyrë lineare. Unë e përkrahi formën lineare, pavarësisht pse bëhen kundërshtime nga funksionaret dhe nga punëtoret jo, për atë është skandaloze. Për të gjithë e barabartë me qenë, jo me pas ndarje, jo me pas si tash që është bërë skandali, pagat të cilat u ngritën në qeveri, thua ti se vetëm ata duhet me jetuar e na të tjerët duhet me vdekur”, u shpreh Ajdini.
Ajdini paralajmëroi se me 1 maj në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, do të mbahen një protestë masive, raporton EO.
“Unë kam apeluar edhe më herët që BSPK-ja ka me u përgatit për protestë masive për ditën e punëtorit për 1 maj dhe kërkoj edhe nga nxënësit edhe nga studentet edhe nga punëtorët që të gjithë të dalin nën shesh dhe t’i kërkojmë të drejtat tona”.
“Edhe ne do t’i kërkojmë pagat tona, vendet e punës, pensionet, sigurimet, përvojën e punës do të kërkojmë edhe për pensionet, pjesën të cilën s’kanë mund ta arrin pensionin e plotë për arsye se kemi qenë të degraduar nga politika sllave që kemi qenë shqiptar”, tha ai.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka paralajmëruar së fundi se nga janari i vitit të ardhshëm pagat në sektorin publik do të rriten 4 për qind.