Në garat e ngulitjeve të NBA-së më 2012, Chase Budinger vrapoi prapa këngëtarit Diddy, kapi një top në ajër të dërguar po nga Diddy, e kaloi reperin dhe e nguliti topin.
Budinger 201 centimetra i gjatë dhe një lojtar me shtatë stinorë të kaluar në NBA, tash është duke shkëlqyer në një fushë tjetër.
Më nuk është në parket ku ka fituar më tepër se 18 milionë dollarë duke luajtur si alo për Houston Rocketsin, Minnesota Timberwolvesin, Indiana Pacersin dhe Phoenix Sunsin e as në arenë të mbyllur të volejbollit, ku ishte lojtar i vitit në nivel nacional, në shkollë të lartë në vitin 2006.
Budinger ka kaluar dy vjetët e fundit duke e ngritur veten si kandidat serioz në volejbollin profesionist në rërë.
Vendimi i Budingerit për t’u larguar nga basketbolli nuk ishte i lehtë, shkruan “The New York Times”.
Në fund të vitit 2017, ai po merrte oferta për të luajtur jashtë vendit, por jo edhe nga skuadra të NBA-së. Basketbolli ishte dashuria e tij e parë, por ai po bëhej i padurueshëm.
“Nuk doja të qëndroja ulur dhe të prisja”, ka thënë Budinger.
Budinger nuk është lojtari i parë i NBA-së që ka bërë transicionin për në volejboll në rërë. Emrat më të njohur janë Wilt Chamberlain e Keith Erickson, që figurojnë edhe në Shtëpinë e të Famshmëve të Asociacionit të Volejbollit në Rërë të Kalifornisë. Volejbolli në rërë po ashtu është i popullarizuar në mesin e yjve të pensionuar të NBA-së si Luke Walton, Richard Jefferson dhe Steve Nash, si dhe pëlqehet nga ylli i tashëm i Detroit Pistonsit, Blake Griffin.
Por, Budinger është lojtari i parë i NBA-së që është futur me orar të plotë në volejboll profesionist. Dhe ja një gjë për Budingerin: ai është vërtet i mirë, ndoshta mjaftueshëm i mirë për të udhëhequr SHBA-në në Lojëra Olimpike në volejboll në rërë.
“Mund të sjellësh sportistët më të mirë në botë dhe ne do t’i shkatërrojmë ata, pasi shkathtësia është shumë e rëndësishme”, ka thënë Casey Patterson, një olimpist i vitit 2016 dhe aktualisht bashkëlojtar i Budingerit. “Chase ka atë histori të volejbollit në palestër dhe ka luajtur në atë pozitë, ku shkathtësitë janë të nevojshme për të qenë lojtar me ndikim”.