Janusz Bugajski nga Fondacioni Jamestown në Uashington deklaroi se çdo përpjekje për të ndryshuar kufijtë dhe shkëmbimin e territoreve në Ballkanin Perëndimor do të ishte në interes dhe përfitim vetëm të Rusisë.
Ai tha në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, i cili po mbahet sot, dhe është i përkushtuar për të ofruar rekomandime për administratën e re të SHBA mbi politikën e saj ndaj rajonit, se ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve do të krijonte një kaos, nga i cili do të përfitojë vetëm Rusia.
Bugajski theksoi se trupat e Aleancës Veri-Atlantike nuk duhet të tërhiqen nga Kosova derisa kjo e fundit të bëhet pjesë e NATO-s, gjë që edhe duhet të ndodhë, transmetojnë mediat.
Gjithashtu, ai shtoi, se duhet të punohet për të larguar Serbinë nga ndikimi rus dhe se kjo do të forconte stabilitetin e rajonit.
Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Janusz Bugajski, ka thënë se BE-ja dhe SHBA-ja duhet të zgjidhin mospajtimin Kosovë-Serbi.
Ai tha se ekonomia nuk do t’i zgjidhë problemet politike të dy vendeve, prandaj rekomandoi një riangazhim të udhëheqësve pas Marrëveshjes së Washingtonit,.
Dialogu Kosovë-Serbi dhe ngërçi i Bosnje e Hercegovinës janë dy sfidat kryesore të SHBA-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sipas Bugajskit.
“Mendoj se qëllimi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të ndjekë rrugën e njohjes së shtetësisë. Kjo është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për të dyja vendet që do të lejojë përmbushjen e qëllimit të tyre për integrim në BE dhe zhvillim ekonomik. Partneriteti i SHBA-së dhe BE-së për të arritur marrëveshjen është esenciale. Liderët e Kosovës dhe Serbisë që në shtator nënshkruan marrëveshje ekonomike duhet të riangazhohen për marrëveshje”.
“SHBA-ja nuk duhet të fokusohet vetëm në çështjet ekonomike. Marrëdhëniet ekonomike nuk do të normalizohen nëse ato politike mbesin jonormale”, tha ai.
Analisti amerikan i bëri këto deklarata në konferencën “Ballkani: Rekomandime politike për Administratën e re” që po udhëhiqet nga kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA-së, Eliot Engel.