Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka deklaruar se Qeveria ka pasur standarde të dyfishta, duke theksuar se i mbrojti qeveritarët me aktakuza.
“Ka pasur kauzë që nuk do të lejojmë në Qeverinë tonë asnjë person me aktakuzë, ka ndodhë e kundërta. Prandaj, këtu kemi përdorim të dyfishtë të standardeve”, u shpreh Bugaqku.
Ai tha se kemi përdorim të standardeve të dyfishta derisa kur nuk je në pushtet premton se kur të vjen në pushtet e implementon një standard dhe në momentin kur vjen në pushtet nuk e bën atë, i bie që i shkel parimet mbi të cilat ke ardhë në pushtet.
Bugaqku shtoi se sistemit të drejtësisë i duhet Vettingu, mirëpo sipas tij, duhet të ketë vullnet politik në Kuvend për miratimin e amendamenteve, raporton Betimi për Drejtësi.
“Sa i përket pjesës së drejtësisë, mendoj se duhet të zbatohet Vettingu, të ketë vullnet politik në Kuvend që të kalojnë këto amendamente. Unë besoj se ne do të kemi sukses në përmirësimin e efikasitetit dhe luftës kundër korrupsionit në momentin kur fillojmë të bëjmë vlerësimin e përformancës për krerët e sistemit gjyqësor por edhe të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Bugaqku.