Buja: Në luftë propagandohej se kisha ikur nga vijat e frontit, nisi të përhapej edhe në mesin e ushtarëve të UÇK-së

Prishtinë | 05 Nën 2024 | 12:05 | Nga Ekonomia Online

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Nerodimes, Shukri Buja, ka deklaruar se në korrik të 1998-s ishte përhapur një propagandë se kishte ikur nga vijat e frontit dhe nuk po merrte pjesë në luftime, duke shtuar se kjo propagandë mori përmasa shqetësuese “sepse nisi të përhapej edhe në mesin e ushtarëve të UÇK-së”.

Sipas Bujës, pjesë e propagandës ishte edhe thashetheme se zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, i kishte marrë 100.000 marka dhe kishte ikur në Shqipëri.

“Në korrik të 1998-s, në grykë të Shalës ku po qëndronin afro 20 mijë qytetarë civilë, ishte përhapur një thashetheme se zëdhënësi i UÇK-së kishte marrë 100 mijë marka dhe kishte ikur për në Shqipëri. Lidhur me këtë çështje kemi mbajtur takim me qytetarët civilë atje, bashkë me Jakup Krasniqin. Unë jam goditur fillimisht me propagandën me të fuqishme si një udhëheqës që ka ikur nga vijat e frontit dhe nuk merr pjesë në luftime. Kjo ka qenë propaganda. Kjo mori përmasa shqetësuese sepse nisi të përhapej edhe në mesin e ushtarëve të UÇK-së”, ka thënë Buja.

Ai ka shtuar se kishte kërkuar të merreshin masa.

Buja u shpreh tutje se Fatmir Limajn e kishte konsideruar si komandant të parë dhe ka menduar se është anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

“Më vonë kam kuptuar se nuk ka qenë anëtarë i Shtabit, Limaj ka qenë njëri nga kolegët e mi të luftës. Deri në periudhën e fund-korrikut 1998 ka qenë në Kleçkë”, theksoi ai.

Të ngjashme