Dëshmitari Shukri Buja është pyetur se kur e ka kuptuar se kush ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së duke përfshirë katër të akuzuarit.
Buja tha se këtë gjë e kishte kuptuar pas publikimit të emrave në periudhën e Konferencës së Rambujesë e që edhe vëllai i tij (Ramë Buja) ishte pjesë e kësaj strukture.
Fillimisht, dëshmitari tha se zyrtarisht që Azem Syla ishte komandant i Përgjithshëm i UÇK-së e kishte kuptuar në një mbledhje të komandantëve.
“Vonë e kemi kuptuar, në veçanti e kemi kuptuar kur u kanë një mbledhje e komandantëve të zonave ku ka qenë edhe shefi i Shtabit dhe Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së, ka qenë Azem Syla e që më vonë është ndërruar”, tha Buja duke shtuar se takimi është mbajtur në kohën e konferencës së Rambujesë, gjegjësisht në maj.
Dëshmitari u përgjigj me “nuk e di” kur u pyet se a e dinte sa zëvendëskomandant i ka pasur Shtabi i Përgjithshëm.
“Këtë nuk e di. E di që në atë takim është potencuar se komandant i Përgjithshëm është Azem Syla dhe komandantët e zonave kanë kërkuar që këta të jenë përgjegjës për ta emëruar Komandantin e Përgjithshëm meqë janë drejtpërdrejtë të lidhur në kuptimin e formacioneve ushtarake dhe veprimeve luftarake. Pra, të jenë përgjegjës për caktimin e komandantit të Përgjithshëm”, tha Buja.
Deri në periudhën e fundit të luftë, dëshmitari tha se shef i Shtabit të Përgjithshëm ka qenë Bislim Zyrapi.
Ndërsa, si përgjegjës kryesor politik në atë kohë si dhe person më autoritet sipas Bujës ishte Thaçi.
“Sidomos me shkuarjen në Rambuje janë bërë publike se kush është përgjegjës politik të cilët i kemi njohur publikisht. Si përgjegjësi kryesor politik në atë kohë dhe njeri më autoritativ politik ka qenë z. Hashim Thaçi, në kuadër të të cilit delegacion kanë qenë edhe z.Jakup Krasniqi si zëdhënës i UÇK-së. Pjesë e delegacionit kanë qenë edhe njerëz të tjerë të cilët për momentin nuk po me kujtohen, po ka qenë edhe vëllai im”, tha Buja.
Dëshmitari tha se përgjegjës për Policinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ishte njoftuar se ka qenë Fatmir Limaj e pastaj Rexhep Selimi. Megjithatë dëshmitari tha se nuk e din më siguri këtë gjë dhe se mund të gaboj sa i takon kësaj pjese.
“Unë nuk kam qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe nuk e kam ditur zyrtarisht, por jam njoftuar në momentin kur janë bërë publik emrat e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të cilët i ka publikuar vetë Shtabi i Përgjithshëm. Nëse nuk gaboj, drejtor i drejtorisë së policisë fillimisht është caktuar Fatmir Limaj e më vonë Rexhep Selimi por këtu edhe mund të gaboj.
Dëshmitari po ashtu u pyet se a ka qenë vëllai i tij anëtarë i Shtabit të Përgjithshme.
“Sipas njoftimeve nga vëllai im, në nëntorin e vitit 1998 është emëruar anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe në këtë publikim nëse nuk gaboj ka qenë drejtor i Drejtorisë për Administrim Civil… e di që është marrë me organizimin e drejtorive civile të cilat janë organizuar në çdo zonë dhe jemi munduar që të organizojmë përmes drejtorive civile në çdo vend apo qytet të cilat kemi pas në zonat e përgjegjësisë.”, tha Buja.
Ai tha se edhe për Kadri Veselin e ka kuptuar që ishte anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm në periudhën e fundit kur ishin publikuar emrat.
“Në atë periudhën e fundit, pas publikimit e kam kuptu se anëtar i Shtabit të Përgjithshëm është Kadri Veseli. Thuhej se ishte drejtor i Drejtorisë së Zbulimit”, tha Buja.
Dëshmitari tha se një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm ka qenë i vendosur në Zonën e Nerodimes në kohën e emërimeve të Qeverisë së Përkohshme përkatësisht në muajin maj-qershor 1999.
Buja tha se sa i kujton atje kanë qenë vëllai i tij, Ramë Buja, Thaçi, Fatmir Limaj, Kadri Veseli etj. Ndërsa, për Rexhep Selimin tha se që nuk i kujtohet se ka qenë aty por që nuk e beson që ka qenë.
Ai tha se gjatë kësaj periudhe është takuar me atë pasi që ishin në zonën e përgjegjësisë së tij.
Buja tha se Thaçi gjatë qëndrimit në Noredime është marrë rreth mundësive për organizimin e Qeverisë së Përkohshme dhe ka kontaktuar drejtpërdrejtë me telefon me ndërkombëtarë.
Edhe për Veselin, Buja tha se nuk i din veprimtaritë e tij atje e as anëtarëve të tjerë të shtabit për shkak që ai nuk ka qenë pjesë e kësaj strukture.
Dëshmitari u pyet se anë mars të 1999-ës a ka pasur ndonjë sulm në fshatin Ivajë të Kaçanikut.
“Nuk me kujtohet”, tha Buja.
Ai tutje u pyet se a është bërë ndonjë shkatërrim i pronave në këtë fshat.
“Në 99-ën… Ivajë ka ndodhë jo vetëm shkatërrime të pronave por kanë ndodhë edhe masakra në civil nga forcat pushtuese serbe. Në 99-ën ka ndodhë edhe masakra brenda qytetit të Kaçanikut dhe kemi pas bukur shumë ushtarë të rënë dëshmorë”, tha Buja duke shtuar se masakrat kanë ndodhur në periudhën prill-maj por që datën nuk e kujton me saktësi.
Buja u pyet se çfarë ndërtesash në Mullopoc ka përdorur Zona Operative e Drenicës.
“Ka përdorur një lagje e cila ka qenë në grykë të Mullopocit dhe ka pasur disa ndërtesa që kanë qenë pronë e qytetarëve të Kosovës, të fshatit Mullopoc”, tha Buja duke shtuar se ka qenë edhe spitali ushtarak në Mullopoc.