Dëshmitari Shukri Buja tha se nuk i kujtohet nëse në prill apo maj të vitit 1998 ka pasur ndonjë kontakt përmes telefonit apo në ndonjë mënyrë tjetër me Hashim Thaçin.
“Nuk më kujtohet saktësisht se kur kam pas kontakt me telefon”, tha Buja.
Ai shtoi se nuk i kujtohet që me Thaçin kanë pasur ndonjë kontakt me anë të telefonit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari Buja pohoi se ka marrë pjesë në sigurimin e armëve për UÇK-në.
“Detyra e parë ka qenë që me e siguru armën për ushtarin dhe normalisht që jam angazhu për me i siguru armët qoftë brenda- kush ka pas armë që i ka sjellë për t’i deponu dhe kriju mundësinë e armatosjes, qoftë përmes Maqedonisë apo Shqipërisë. S’ke mujt me e ba ushtarin pa e pas armën për me e armatosë ose është dashtë që ushtari të vijë i uniformum dhe i armatosur që ka qenë vështirë me mjete të veta”, tha Buja.
Dëshmitari theksoi se nuk e ka njohur Shtabin e Përgjithshëm, prandaj edhe s’ka pasur mundësi që të marrë këtë detyrë nga ata.
Me kaq përfundoi seanca e sotme për të vazhduar edhe nesër (e martë) me dëshminë e Bujës.