Bullgaria u bë vendi i fundit që pezulloi përdorimin e vaksinës AstraZeneca të premten në pritje të hetimeve mbi sigurinë e saj.
Kryeministri bullgar Bojko Borisov urdhëroi ndalimin e të gjitha injektimeve duke përdorur vaksinën AstraZeneca ndaj COVID-19 derisa Agjencia Evropiane e Barnave “të mos hedhë poshtë të gjitha dyshimet” në lidhje me sigurinë e vaksinës, sipas një deklarate të qeverisë.
Agjencia Evropiane e Barnave lëshoi të enjten një deklaratë duke thënë se përfitimet e vaksinës AstraZeneca tejkalojnë rreziqet dhe nuk rekomandoi pezullimin e përdorimit, raporton CNN.
EMA tha se ishte në dijeni që Danimarka po e pezullonte atë për shkak të raporteve të mpiksjes së gjakut tek njerëzit që e kishin marrë atë, por tha: “Aktualisht nuk ka indikacione se vaksinimi i ka shkaktuar këto gjendje, të cilat nuk renditen si efekte anësore me këtë vaksinë “.