Bullgaria shënon përsëri rekord të rasteve me Covid-19

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Bullgaria shënoi rekord të rasteve me Covid-19 në 24 orët e fundit me 6.813 të infektuar për një ditë, në kohën kur shteti me shkallën më të ulët të të vaksinuarve në BE po përballet me valën e katërt të pandemisë. Rekord u shënua edhe një ditë më parë.

Përpos të infektuarve, në 24 orët e fundit në Bullgari u regjistruan edhe 124 viktima, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga pandemia në 23.440, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Më shumë se 7.300 pacientë po trajtohen për Covid-19 në spitalet e vendit, ndërsa sistemi shëndetësor po përballet me rritjen e numrit të tyre e me mungesë të stafit.

Qeveria e përkohshme e ka bërë të detyrueshme pasaportën shëndetësore për të hyrë në shumicën e hapësirave të mbyllura publike në përpjekje për ta zvogëluar përhapjen e virusit dhe për ta nxitur vaksinimin e popullsisë.

Dhënia e vaksinave është katërfishuar që nga vendimi për ta bërë të detyrueshme pasaportën shëndetësore të enjten e kaluar. Mbi 26.000 doza të reja u dhanë në 24 orët e fundit, duke e çuar në 1.46 milion numrin e të rriturve të vaksinuar.

Megjithatë, shumë bullgarë mbeten skeptikë rreth vaksinës për shkak të mosbesimit të rrënjosur ndaj institucioneve shtetërore, keqinformimit dhe mesazheve kundërthënëse të politikanëve e ekspertëve para zgjedhjeve të 14 nëntorit.

Të ngjashme