Djali 12-vjeçar që qëlloi dhe vrau një koleg të klasës së gjashtë dhe plagosi rëndë dy të tjerë në një shkollë në Finlandë, ka shpjeguar se ai ishte objektiv i ngacmimit dhe ky ishte motivi i sulmit të tij, tha policia të mërkurën.
Djali të martën solli revolen e një të afërmi në shkollën Viertola pranë Helsinkit dhe qëlloi tre 12-vjeçarët dhe kërcënoi disa të tjerë. Ai ishte transferuar në shkollë në fillim të vitit 2024, thanë hetuesit, raporton Reuters.
Qeveria u kërkoi finlandezëve të bashkoheshin në një ditë zie të mërkurën dhe urdhëroi që flamujt në ndërtesat publike të valonin në gjysmështizë në shenjë të respektit për fëmijën e vdekur. Dy nxënësit e tjerë mbeten në spital.
“Sapo morëm vesh sot se bullizmi ishte prapa tragjedisë”, tha për Reuters kryeinspektori, detektivi Marko Sarkka.
Hetimi paraprak i policisë kishte konfirmuar se djali ishte objektiv i bullizmit, thanë hetuesit në një deklaratë të veçantë. Sarkka nuk pranoi të jepte hollësi.
Policia nuk ka thënë nëse sulmuesi ka kërkuar të shënjestrojë ndonjë individ specifik.
I dyshuari përfundimisht u kap rreth katër kilometra larg, ndërsa ende posedonte një armë.
Në mesin e të plagosurve është edhe një 12-vjeccare nga Kosova. Gjendja e saj shëndetësore raportohet të jetë jo e mirë.
Nëna e një prej nxënësve shqiptarë që vijojnë mësimet në këtë shkollë, në një prononcim në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, tha se fëmija i saj është i traumatizuar dhe nuk do që të vijojë më mësimet më në atë shkollë.
“Djali tha që kam frikë, du me ndërru shkollën. Kem te psikologja, e lamë që nesër me fillu prapë, por jo në atë ndërtesë. Do të thotë në atë ndërtesë nuk do të mbahen më mësimet”, shpjegoi Liridona Morina.