Sytë e botës sportive do të jenë këtë javë kah Gjermania dhe kancelarja Angela Merkel, e cila po argumenton me zyrtarët rajonalë të sportit nëse duhet të rinisë ose jo liga vendore e futbollit, Bundesliga.
Nëse ajo rikthehet më 9 maj, do të dërgonte një sinjal të fuqishëm te ligat e tjera të futbollit në Evropë, si Premier Liga e Anglisë, La Liga e Spanjës dhe Serie A e Italisë, se edhe ato mund t’i rinisin sezonet 2019-2020, të cilat janë pezulluar në mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Edhe nëse rinisja në maj e Bundesligës është pak shumë optimiste – siç thonë disa – ajo do të ishte e para në Perëndim që rinis garat, prejse izolimet dhe masat e distancimit fizik kanë anuluar sportet në gjithë botën.
“Me siguri që gjermanët janë më afër kthimit sesa të tjerët. Kështu që ata mund t’iu tregojnë [ligave të tjera] kthimin e mundshëm prapa”, thotë për Radion Evropa e Lirë Richie McCormack, nga ueb-faqja sportive Off The Ball, me seli në Dublin.
Italia, Spanja dhe Britania janë goditur më ashpër se Gjermania nga pandemia e koronavirusit.
Por, zotimi gjerman për t’u rikthyer në lojë mund të ndikojë vendime që prekin edhe sportet tjera kryesore në Evropë dhe në mbarë botën.
Ka një listë të gjatë sportesh, përveç futbollit, që kulmojnë gjatë verës – përfshirë tenisin, basketbollin, golfin, ragbin dhe garat me motor.
Lojërat e pezulluara në mars kanë lënë miliona tifozë të izoluar dhe kanë bllokuar miliarda dollarë nga shitjet e biletave.
“Lojërat fantazmë” vetëm fillimi
Derisa shkencëtarët dhe qeveritë vazhdojnë përpjekjet për të gjetur teste të besueshme, trajtime dhe një vaksinë kundër COVID-19, shumica e botës sportive mbetet e paralizuar.
Zyrtarët thuajse kudo thonë se çdo kthim në garat elitare – dhe përfitimet sociale dhe financiare nga to – duhet të shmangë rrezikimin e shëndetit publik ose të sigurisë së sportistëve nga pandemia aktuale.
Përfaqësuesit e 36 ekipeve që përbëjnë dy divizionet kryesore të Bundesligës janë takuar përmes video-konferencës më 23 prill, për të diskutuar rifillimin e lojërave më 9 ose 16 maj dhe për të mbyllur sezonin më 30 qershor.
Ndeshjet e meshkujve të niveleve të para dhe të dyta në Bundesligë historikisht tërheqin më shumë spektatorë në stadium, sesa çdo ligë tjetër futbolli në botë.
Por, plani i tyre i ri përfshin “Geisterspiele” apo “lojërat fantazmë” me vetëm rreth 300 njerëz në dhe përreth stadiumit, përfshirë ekipet dhe stafin mbështetës – që të gjithë me maska.
Do të ketë po ashtu vende për larje duarsh dhe do të përjashtohen shtrëngimet tradicionale të duarve dhe fotografitë në grup.
Skema, e cila pritet t’i paraqitet Merkeli dhe ministrave rajonalë të enjten, bart atë që e përshkruan si “rrezik të pranueshëm mjekësor”.
Kicker, faqja kryesore në internet e futbollit gjerman, ka cituar senatoren për sport të Bremenit, Anja Stahmann, duke thënë se liga duhet të “krijojë dhe zbatojë parakushtet më të rrepta higjieno-mjekësore” dhe të bëjë çmos për të parandaluar mbledhjet e “grupeve të tifozëve”.
Shkencëtarët në Institutin Robert Koch (RKI), një qendër për biomjeksinë që këshillon Qeverinë gjermane, kanë thëne se janë skeptikë.
E kontaktuar përmes emailit, një zëdhënëse e Institutit i tha Radios Evropa e Lirë se “nuk është detyrë e RKI-së të vendosë [për rifillimin e lojërave të futbollit]”.
Por, statistikat mund të flasin më shumë se fjalët.
RKI ka bërë të ditur më 28 prill se të dhënat e reja kanë treguar se infeksionet me koronavirus në Gjermani kanë qenë në rritje, pas një periudhe lehtësimi.
Shkalla e riprodhimit, e cila vlerëson se sa njerëz mesatarisht infekton një i infektuar, ishte mbi 1.0, kanë thanë shkencëtarë të RKI-së, duke sugjeruar se ka pasur rritje të kapacitetit viral dhe jo rënie.
Edhe Michel D’Hooghe, mjeku kryesor i Federatës Botërore të Futbollit – FIFA, ka thënë më 28 prill për Newsweek se është “shumë skeptik” për ligat që t’i rinisin sezonet. Ai u ka sugjeruar atyre që të përgatiten për sezonet e ardhshme.
Deri më 29 prill, Gjermania ka qenë e gjashta në botë me numrin e rasteve me COVID-19, më shumë se 160,000, dhe e shtata me numrin e vdekjeve që i atribuohen sëmundjes – më shumë se 6,300.
Federata Evropiane e Futbollit, UEFA, ka caktuar datën 25 maj si afat për ekipet që t’i braktisin sezonet ose të tregojnë se kur planifikojnë t’i përfundojnë.
Ligat spanjolle, belge dhe holandeze janë ende duke i peshuar opsionet e tyre, ndërsa Premier Liga e Anglisë – më fitimprurësja dhe e vlerësuar gjerësisht si më e mira në botë – ka thënë këtë javë se po shikon të rifillojë në fillim të qershorit, ngjashëm sikur Italia.
Përtej futbollit
Të gjithë atletët dhe organizatorët profesionistë përballen me pengesa të pashembullta, që përfshijnë rrezik nga infektimi, masa të rrepta higjienike dhe kufizime të paparashikueshme të udhëtimit.
Por, sinjalet e fundit në sporte janë dekurajuese.
Një shembull është tenisi profesional, i cili ende shpreson të shpëtojë dy Grand Slame të planifikuara për verë.
Problemi i parë ka dalë kur tenisti serb, Noval Gjokoviq, numri një në botë, ka thënë se nuk i pëlqen ideja për t’u rikthyer në lojë me kusht që të vaksionet për COVID-19.
Gara me makina Formula Një ka njoftuar këtë javë se është “gjithnjë e më e sigurt me përparimin e planeve për të filluar sezonin këtë verë”.
“Ne presim që garat e hershme të jenë pa tifozë, por shpresojmë se tifozët do të jenë pjesë e ngjarjeve tona më vonë”, ka thënë shefi ekzekutiv i Formula Një, Chase Carey, më 27 prill.
Brian McCloskey, anëtar i Grupit të Mbledhjeve Masive gjatë Koronavirusit, pranë Organizatës Botërore të Shëndetit, gjithashtu ka qenë i kujdesshëm kur ka folur për kthimin e ngjarjeve sportive në shkallë të gjerë.
“Një ngjarje që përfshin shumë udhëtime në gjithë vendin ose midis vendeve… [është] shumë më e komplikuar. Një ngjarje lokale – futboll në komunitet – është shumë më e lehtë për t’u parë”, ka thënë McCloskey për BBC-në.