Ish-seleksionuesi i Kosovës, Albert Bunjaki, mund të emërohet trajner i skuadrës elitare të Turqisë, Rizespor.
Bisedimet me skuadrën e Superligës turke i ka konfirmuar të martën trajneri Bunjaki. Bunjaki mund ta zëvendësojë trajnerin e larguar Ibraim Uzulmez, shkruan sot Koha Ditore.
Bunjaki ka thënë se menaxheri i tij turk është në bisedime të rregullta këto ditë me drejtuesit e klubit që nuk nisi mirë edicionin. Bunjaki është pa angazhim në futboll që nga 9 tetori i vitit të kaluar kur la postin e përzgjedhësit të Kosovës.
Ai kishte drejtuar Kosovën prej vitit 2009 dhe i adresohen merita të mëdha për vënien e themelit të përfaqësueses e po ashtu për afrimin e shumë lojtarëve.
Në kualifikimet e para të saj, ato për botërorin “Rusia 2018”, Kosova e drejtuar nga Bunjaki pati një barazim e nëntë humbje. Dhe ky bilanc bëri që me marrëveshje të dyanshme të ndërpritet bashkëpunimi i FFK-së me Bunjakin.