Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, ka deklaruar se nuk ka zgjedhur Kosovën për para, por për dëshirën që t’i ndihmojë vendit.
Bunjaki është shprehur se ka pasur mundësi të vazhdonte karrierën si trajner edhe në vende për pagë më të mirë, por thotë se ka dashur që të ndihmojë Kosovën në krijim të kombëtares dhe për hapat e parë.
Pas humbjes 2 me 0 nga Turqia në xhiron e katërt të Grupit I kualifikues për Botërorin “Rusia 2018”, Bunjaki ka kujtuar edhe periudha të vështira kur shtabi teknik ka punuar pa paga.
“Normalisht, jam përballë me probleme të ndryshme. Kemi ofruar disa prej lojtarëve më të mirë. Kushtet nuk ishin maksimale deri në pranim të FFK-së. Më shumë ishte me ndihma personale sesa që paguhej kjo punë. Kemi dashtë ta ndihmojmë Kosovën, ta ndihmojmë kombëtaren”, ka thënë Bunjaki.
I pyetur për pagën e tij në krahasim me të trajnerëve të tjerë që marrin miliona për udhëheqje të kombëtareve të njohura Binjaku ka thënë se është i kënaqur me aq sa fiton.
“Është një shumë që më bën të jetoj mirë dhe t’i paguaj obligimet. Është pagesë që më mundëson të jetoj nga futbolli. Me pas dashtë para do të shkoja diku tjetër e s’kisha ardhë në Kosovë”, ka thënë Bunjaki.