Trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki pritet të përballet me disa probleme edhe para ndeshjes me Turqinë.
Disa lojtarë ende nuk kanë marrë leje, kurse disa të tjerë vuajnë nga lëndimet.
“Enis Alushi do jetë i gatshëm për lojë ndaj Turqisë. Po ashtu, shpresoj të kthehen Ardian Ismajli e Benjamin Kololli nga lëndimet, ndërsa situata me Loret Sadikun ende është e paqartë dhe këtë vikend do të jem në Stamboll të bisedoj me të. Atdhe Nuhiu është në pritje të vendimit për të pasur drejt të luajë me ne”, ka thënë Bunjaku, duke folur më pas për tri ndeshjet e para eliminatore, të cilat nisën mirë, por fundi ishte i keq.
“Ne kishim tri ndeshje për një muaj dhe ka qenë e vështirë si në aspektet organizative ashtu edhe sportive, për një Kombëtare te re, me një moshë mesatare 22/23 vjet. Jemi ballafaquar me dy kombëtare që kanë qenë pjesë e fazës finale në Evropian dhe ishte një eksperiencë e mirë për ne, duke kuptuar se kombëtaret e tilla nuk u nevojitet shumë hapësirë që të shënojnë. Kjo i bën ato të jenë në top të kombëtareve më të mira në botë”.
“Ne e kuptuam se loja kolektive është shumë e rëndësishme dhe këtë në fakt e treguam deri në minutën e 80-të kundër Ukrainës në Poloni, ku madje patëm edhe raste të barazojmë, me Berishën, i cili një herë qëlloi shtyllën. Pra, e dimë qe kemi të bëjmë me kundërshtarë shumë të fortë, por këto lojë janë duke na bërë më të fortë dhe me kompaktë nga dita në ditë”, ka thënë Bunjaki. (Sportali.net)