Kombëtarja e Kosovës në futboll po kalon momente mjaftë të vështira, pasi humbi shansin e artë për tu kualifikuar në Kampionatin Evropian.
Përveç humbjes nga Maqedonia Veriore në ‘Play-Offin’ e Ligës së Kombeve, ‘Dardanët’ mbrëmë u mposhtë në ‘Fadil Vokrri’ nga Sllovenia, në duelin e vlefshëm për grupin e tretë të Ligës C të Kombeve.
Dy humbje rresht kanë shkaktuar pakënaqësi të madhe të tifozët, të cilët po kërkojnë shkarkimin e trajnerit Bernard Challandes, si dhe po i kritikojnë më të madhe Vedat Muriqin, Milot Rashicën e Amir Rrahmanin, të cilët munguan në këto ndeshje për shkak të lëndimeve dhe masave anti-covid.
Rashica e Muriqi nuk u grumbulluan me kombëtaren për shkak të lëndimeve dhe gjendjes jo të mirë fizike, ndërsa Rrahmani nuk u lejua nga Napoli për shkak të rasteve me koronavirus brenda klubit napolitan.
Lidhur me këto mungesa ka folur edhe ish-trajneri i kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki, i cili ka thënë se edhe në të kaluarën futbollistët kanë pasur probleme nga klubet e tyre për me ardh me lujtë për Kosovën.
Tutje Bunjaki ka zbuluar edhe emrat e dy lojtarëve, të cilët u penalizuan nga skuadrat e tyre për ardhjen në kombëtaren e Kosovës.
“Është shumë e rëndësishme të ndërtohen kontakte ndërmjet Federatës dhe klubeve. Të paktën nga koha kur unë kam qenë selektor kanë qenë të tilla dhe ka patur disa raste kur futbollistët për shkak të lëndimeve janë penguar nga klubet e tyre për të ardhur te Kosova”, theksoi fillimisht Bunjaki në emisionin “Sport Shoë” në Klan Kosova.
“E kemi patur rastin e Enis Alushit dhe Albert Bunjakut. Të dy futbollistët nuk e kishin lejen e klubit për të ardhur te Kosova, pasi që ishin të lënduar. Përkundër kontaktit që kishim ne si Federatë me klubet e tyre dhe insistimit se ata nuk do të luanin më shumë se rekomandimet që do t’ua jepte klubit, ata sërish nuk u lejuan. Sikur Enisi, po ashtu edhe Alberti kanë ardhur për të luajtur te Kosova pa lejen e klubit, ndërkohë më pas ata u penalizuan nga klubet e tyre”, ka thënë ndër të tjerash Bunjaki.
Kujtojmë se pas komenteve dhe kritikave të shumta Vedat Muriqi, Milot Rashica e Amir Rrhamani kanë reaguar, duke treguar arsyen e mos ardhjes në kombëtare, në ndeshjen më të rëndësishme të Kosovës./