Albert Bunjaku është në fazë të vonshme të karrierës si futbollist, por golat dhe mjeshtëritë e tij ende po kryejnë punë në Gjermani. Jo në Bundesligë, por në nivel të pranueshëm, në kategorinë e tretë të Gjermanisë, që vlerësohet goxha shumë.
Ish-reprezentuesi i Zvicrës dhe i Kosovës është golashënuesi më i mirë në kategorinë e tretë gjermane. Ka shënuar 17 gola. Asnjë gol nuk e ka nga penalltia. Shifrën prej 17 golave e ka arritur në 28 ndeshje.
Të martën Bunjaku 36-vjeçar i siguroi fitoren shumë të rëndësishme Viktoria Koelnit, skuadër kjo që po garon për mbetje në këtë kategori. Në kuadër të xhiros së 29-të, Viktoria Koelni fitoi 3:0 ndaj Zwickau.
Bunjaku shënoi gol të bukur me kokë në minutën e 63-të për rezultatin 1:0. Ndërsa në minutën e 81-të bëri pasim mjeshtëror me thembër për një bashkëlojtar, që vetëm plasoi topin në rrjetë.
“Kicker.de” ka vlerësuar Bunjakun si më meritorin për fitore.
Ai ka bërë histori me Zvicrën dhe me Kosovën. Për Zvicrën ka luajtur në Botërorin e vitit 2010, kurse u bashkua me Kosovën në vitin 2014. Luajti në miqësoren e parë zyrtare, ndaj Haitit. Më pas shënoi golin e parë zyrtar të Kosovës, në ndeshjen ndaj Turqisë, më 21 maj të vitit 2014. Për Kosovën ka shënuar tre gola në gjashtë ndeshje.
Ai ka bërë karrierë impresive, sidomos në Gjermani. Ka luajtur për Paderbornin, Erfurtin, Nuernbergun, Kaiserslauternin. Më pas u kthye në Zvicër ku luajti për St. Gallenin (2014-2017). Por u kthye në Gjermani, në nivel pak më të ulët. Luajti për Auen, kurse prej vitit 2018 është te skuadra nga Koelni.
Skuadrat ka ndërruar goxha, por golave nuk i është ndarë asnjëherë. I ka 13 gola në Bundesligë, 16 në Bundesliga 2, 15 në Superligën e Zvicrës, 25 në kategorinë e tretë gjermane…
Me gola po vazhdon ende.