Presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë sot se rikthimi i regjimit të vizave për kosovarët do të ishte vrasje për dialogun, Kosovë – Serbi.
Por, Valentina Bunjaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kritikuar Presidencën dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për qasjen karshi aleatëve sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Bunjaku në emisionin “Ditari” në Tëvë1, tha se krerët e shtetit do të duhej të kishin një qasje më të ngushtë me aleatët, madje ajo tha se “nuk kemi mundësi dhe jemi të pafuqishëm që ta kërcënojmë dikënd”.
“Kjo qasje duhet të ndryshojë dhe duhet kjo Qeveri të ketë qasje krejtësisht ndryshe karshi aleatëve tanë, sepse nuk kemi mundësi dhe jemi të pafuqishëm që ta kërcënojmë dikënd. Unë mendoj që ka qenë qasje jo e duhur dhe unë mendoj që qasja e presidentes dhe Kurtit duhet, thjeshtë të bashkëpunojnë më ngushtë me aleatët tanë dhe të mos pësojnë qytetarët e Republikës së Kosovës. Tek e fundit qytetarët kanë pësuar shumë vite për mosliberalizim të vizave për demarkacionin dhe tani ai i njëjti demarkacion është aty dhe asnjëherë nuk ka ardhur ajo marrëveshje në Kuvend thjeshtë të shfuqizohet apo të përmirësohet sipas kërkesave të Kurtit në kohën kur ka qenë në opozitë. Dhe në këtë rast kjo është një mashtrim dhe mos t’i bëhet mashtrimi i dytë qytetarëve tanë, sepse qytetarët meritojnë shumë më mirë dhe një jetë më të dinjitetshme në Republikën tonë”, tha Bunjaku.
“Dëshira ime është që të mos pezullohet liberalizimi i vizave, sepse Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe është e padrejtë të pengohet kjo. Mirëpo qasja e Qeverisë duhet ndryshuar kaq është mendimi im, dhe kjo qasje e krerëve tanë duhet të ndryshojë sepse në këtë rast po pësojnë qytetarët tanë”, shtoi ajo.