Brenda pak muajsh kanë ndodhur disa sulme ndaj fytyrave publike në Kosovë.
Në cak të sulmeve ishin anëtarja e një partie politike, drejtori i burgjeve, udhëheqësi i një gazete si dhe gruaja e një ministri.
Arbana Xharra, ish-kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, u sulmua në maj derisa po hynte në banesën e saj, pak ditë pasi aderoi në Partinë Demokratike të Kosovës.
Dhjetë ditë më pas në shënjestër të sulmeve ishin edhe drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj si dhe drejtori i Gazetës Online Insajderi, Parim Olluri.
Xharra, Zogaj e Olluri u trajtuan në Qendrën Klinike Universitare, pas lëndimeve të marra
Por akoma pa u identifikuar dorasit e tri rasteve të para, të hënën u sulmua edhe Vitore Stavileci, gruaja e ministrit në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka thënë se shpeshtimi i këtyre rasteve është alarm për sigurinë në Kosovë.
“Kur kësaj i shtohet gjuha e ulët politike, gjuha që nxit urrejtjen, që dehumanizon kundërshtarin politik, që justifikon përdorimin e dhunës si një mjet politik, atëherë qartësisht kemi të bëjmë me sinjale të përshkallëzimit të dhunës në Kosovë”, ka thënë Ramadani, për klankosova.
Ai njëherit ka komentuar deklaratat e partive politike për hedhje të fajit nga njëra palë tek tjetra.
“Gjuha e urrejtjes dhe dehumanizimit të kundërshtarit ka filluar tashmë disa vjet, në fillim sikur një gjuhë kundërshtuese politike, por pastaj ka marrë përmasa të nxitjes së dhunës”.
“Gjuha politike është helmuar rëndë gjatë tri viteve të fundit, derisa brenda kësaj periudhe ka pasur përdorim të dhunës dhe vandalizmit si mjet politik”.
Madje Ramadani ka përmendur edhe djegjen e veturave të politikanëve dhe grave të tyre që kishin ndodhur në të kaluarën.
“Veturat e politikanëve të caktuar janë djegur si mesazh politik, politikanët janë sulmuar fizikisht qoftë edhe në aspekt simbolik, por më helmuesja ka qenë djegia e veturave të grave të dy politikanëve, përkatësisht Memli Krasniqit dhe Bajram Gecajt”.
“Për fatin tonë të keq, Policia e Kosovës nuk ka arritur të zbardhë asnjërin prej rasteve të djegieve të veturave, edhe pse këto akte kriminale kanë pasur qëllim politik dhe mesazh politik”.