I thjeshtë, gjithnjë me bluzë të gjelbër ushtarake, duke u shfaqur sa në zonat e luftës, sa në hapësirat e punës e në fjalimet drejtuar parlamenteve të shteteve demokratike, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka rrëmbyer zemrat e njerëzve që nuk duan ta shohin botën të kuqe – nga gjaku i viktimave të pafajshme.
Me sinqeritet iu drejtohet politikanëve që i promovojnë vlerat demokratike, me ndjeshmëri popullit që nuk i ndahet dhe me guxim një agresori si Putini i Rusisë. Kështu, si askush tjetër deri më sot, Zelensky ia doli të marrë respektin dhe duartrokitjet e qindra e mijëra përfaqësuesve të vendeve më me ndikim në botë.
I dridhet zëri kur flet për fëmijët, për grat e burrat e vrarë; për të gjymtuarit nga predhat ruse; për qytetet e kthyera në rrënoja dhe për karvanët e gjatë të qytetarëve që braktisin vendin. Por, e ngre edhe grushtin kur flet për trimërinë e ushtarëve ukrainas për t’i dalë zot vendit – deri në vetëmohim.
Në paraqitjet e tij po i sfidon të gjithë ata që i kanë mundësitë për ta vënë drejtësinë në vend.
Zelensky nuk ndalon së kërkuari mbështetje nga amerikanët, gjermanët, francezët, italianët …; nga të gjitha shtetet anëtare të NATO-s, të BE-së, e të Parlamentit Evropian, duke i alarmuar për rrezikun që i kanoset gjithë botës në rast se bie Ukraina – gjithnjë duke përmendur tragjeditë që i kanë goditur më herët shtetet e caktuara, veç e veç.
Komediani i dikurshëm ua kujtoi ligjvënësve amerikanë 11 shtatorin 2001, ku si pasojë e një sulmi terrorist humbën jetën mijëra qytetarë, Kullat Binjake u bënë shkrumb e hi dhe qielli mbi to u mbulua nga tymi i zi. Ua përmendi edhe sulmin në Pearl Harbor, por tha se ShBA-ja, megjithatë, është shteti më i fortë në botë dhe se lideri i saj duhet të jetë edhe lider i paqes.
Në Bundestag foli për Murin e dikurshëm Berlinit, duke e lëshuar alarmin se tash në Evropë u ngrit një mur tjetër që e ndan lirinë nga mungesa e lirisë. Gjermanët e kanë ndierë në lëkurën e tyre ndarjen, prandaj kërkoi që ta marrin rolin udhëheqës që u takon në Evropë – e ta rrënojnë këtë mur të ri.
Me zotimet se do ta mbrojë me çdo çmim vendin e tij nga Rusia, britanikëve ua solli në mëndje fjalimin e famshëm të Churchillit gjatë Luftës së Dytë Botërore: “Nuk do të dorëzohemi dhe nuk do të humbasim. Do të luftojmë deri në fund, në det dhe në ajër, do të vazhdojmë të luftojmë për tokën tonë, pavarësisht kostos. Do të luftojmë në pyje, në fusha, në brigje, në rrugë …”
Italianëve u shpjegoi se për trupat ruse Ukraina është porta e Evropës, prandaj duhet të vihen në front që të mos e lejojnë depërtimin e barbarizmit rus. Ndërsa, ligjvënësve francezë u kërkoi që të mbajnë një minutë heshtje në nderim të personave që humbën jetën gjatë luftës në Ukrainë, japonezëve u bëri lutje që të tërhiqen nga tregu rus.
Parlamentarëve evropianë u tha se Ukraina është duke i dhënë njerëzit më të mirë, për shkak të dëshirës për t’u trajtuar të barabartë, ndërsa NATO-s i kërkoi vetëm një për qind të të gjithë tankeve që i ka kjo aleancë. “Jepini ose na i shisni”, u lut ai.
Burri në të gjelbër kështu e preku ndërgjegjen e botës demokratike, ndërgjegjen që ishte varrosur shpesh gjatë qindvjeçarit të fundit e më së voni në Siri kur vriteshin mizorisht civilët e kur në qytetet e kthyera në gërmadha njerëzit i çonin duart përpjetë dhe kërkonin me sa zë që kishin shpëtim nga Zoti.
Martin Luther King Jr. dikur ka thënë: “E kam një ëndërr”, Zelensky sot thotë: “E kam një nevojë”.
Në fakt, të gjithë njerëzit që e duan paqen kanë nevojë të ndalohet Rusia nga synimet ekspansioniste.
Asnjë vend nuk do të jetë i qetë derisa Putini dhe Rusia nuk e marrin dënimin e merituar, siç e patën marrë Sllobodan Millosheviqi dhe Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Koha e ka dëshmuar se vetëm me sanksione nuk ndalohen agresorët.
Ata që kryejnë vrasje dhe shkaktojnë dhimbje, vuajtje, shkatërrime dhe shpërngulje, pashmangshëm e kanë një fund. Por, derisa të vijë ai moment, gjithmonë shtrohet pyetja: sa kohë i duhet botës demokratike për ta vënë drejtësinë në vend, për t’i shpëtuar njerëzit e shtetet në nevojë, e për të mos i lejuar tiranët të diktojnë krijimin e një rendi të ri botëror. (Teve1)