Busquets kthehet në Barcelonë për një eksperiencë të re

Prishtinë | 18 Gus 2026 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Ish-mesfushori legjendar i Barcelonës, Sergio Busquets, është rikthyer zyrtarisht në klub, këtë herë në një rol jashtë fushës së lojës.

38-vjeçari do t’i bashkohet stafit teknik të Barça Atlètic, skuadrës rezervë të klubit katalanas, ku do të punojë krah trajnerit Juliano Belletti.

Ky është hapi i parë i rëndësishëm i Busquetsit drejt një karriere të re në futboll, pas përfundimit të aventurës së tij si futbollist.

Ish-kapiteni i Barcelonës u largua nga futbolli i luajtur pas periudhës së kaluar te Inter Miami, ndërsa tani është rikthyer në klubin ku e kaloi pjesën më të madhe të karrierës.

Këtë herë, Busquets nuk do të jetë në fushë, por në vijën anësore, ku do të nisë të fitojë përvojë në profesionin e trajnerit, shkruan “Goal”, përcjell “Gazeta Express”.

Pas largimit nga Inter Miami dhe përfundimit të karrierës si futbollist, Busquets e kishte lënë të hapur mundësinë për t’u marrë me trajning në të ardhmen.

Në atë periudhë, ai kishte bërë të ditur se dëshironte ta merrte një vit pushim përpara se ta merrte vendimin për hapin e radhës.

Tani, ai ka vendosur ta nisë këtë kapitull të ri.

Busquets do të jetë pjesë e stafit të Juliano Bellettit te Barça Atlètic, ndërsa paralelisht do t’i vazhdojë studimet dhe kurset për t’i marrë licencat e nevojshme të UEFA-s për trajner.

Barça Atlètic është skuadra rezervë e Barcelonës dhe jo pjesë e akademisë La Masia.

Ekipi garon aktualisht në Segunda Federación, niveli i katërt i futbollit spanjoll, pasi në të kaluarën kishte luajtur edhe në kategoritë më të larta.

Busquets do ta ketë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e futbollistëve të rinj të klubit.

Përvoja e tij e jashtëzakonshme si mesfushor dhe kapiten i Barcelonës pritet të jetë një vlerë e madhe për talentet që synojnë ta bëjnë hapin drejt ekipit të parë.

Të ngjashme