Njëmbëdhjetë shkolla në Kosovë nuk do ta fillojnë vitin e ri shkollor sot për shkak të disa vonesave në përfundimin e rinovimeve.
Kështu bëri të ditur ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në një konferencë për media, raporton Ekonomia Online.
Bytyqi më tutje ka njoftuar se deri më 6 shtator do të përfundojë i gjithë procesi i shpërndarjes së librave falas.
“Kemi 11 shkolla që sot nuk do të fillojnë mësimin për shkak të disa vonesave që kanë ndodhë për përfundimin e rinovimeve”.
“Këtë vit është bërë shpërndarja falas e librave, pritet që deri më datën 6 të përfundojë shpërndarja. Deri më sot kemi 15 komuna në të cilat ka përfunduar shpërndarja e librave”.
Kreu i MAShT-it ka premtuar që në vitin e ardhshëm shkollor nxënësve të të gjitha niveleve do t’iu shpërndahen tekstet e reja, tekste për të cilat, sipas Bytyqit, është duke u punuar vazhdimisht, raporton EO.
“Tekstet e reja do të jenë për të gjitha nivelet nga 1-12, besojmë që në vitin 2019-2020 të ketë tekste të reja”.
Mirëpo tekste shkollore nuk do të ketë këtë vit për nxënësit e Luginës së Preshevës, sipas ministrit Bytyqi, për shkaqe politike.
Bytyqi njoftoi se për zgjidhjen e kësaj çështjeje është duke u biseduar edhe me ministrin e Shqipërisë.
“Nuk ka shpërndarje për Luginën e Preshevës. Ju e dini që ka pasë problematikë për vitin e kaluar. Ne jemi duke biseduar me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri që t’i shohim alternativat që këto tekste të mbërrijnë në Preshevë”.
Ministri Bytyqi kërkoi nga mësimdhënësit të angazhohen më shumë, ndërsa nga prindërit kërkoi të jenë më aktivë në rritjen e komunikimit me mësimdhënësit.
“Të gjithë nxënësve iu uroj një vit të mbarë dhe të suksesshëm. Ju uroj mësimdhënësve një vit të mbarë, një punë të mbarë duke kërkuar nga ata që të kenë angazhim sa më të madh”.
“Prindërit të jenë shumë aktiv këtë vit, që të kenë një komunikim me mësimdhënësit”.