Bytyqi arsyeton vendimin për aderimin në PSD, i fton të gjithë t’i bashkohen në këtë rrugëtim

Prishtinë | 03 Sht 2019 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka treguar arsyet për aderimin e tij në Partinë Socialdemokrate.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka ftuar të gjithë që t’i bashkohen këtij rrugëtimi.

Postimi i tij në Facebook:

Miq të mirë, mbështetës të rrugëtimit tim politik, opinion i gjerë, ditët që lamë pas sikur jeni në dijeni, unë u largova nga ish rreshtimi im politik NISMA SOCIALDEMOKRATE ndikuar nga rrethana që i pata sqaruar në dorëheqjen time publike!

Të qenit aktiv është borxhi që ia kemi vendit e gjeneratave.

Duke ditur se vendi ynë ia ka nevojën secilit që kontribuon në mëkëmbjen e tij, dhe duke qenë i bindur se ndryshe nuk mund t‘u bashkohemi perëndimit dhe standardeve që aspirojmë, të qenit aktiv është premisa e parë për të arritur aspiratat tona!

Bazuar në premisën e të qenit aktiv dhe parimeve që determinojnë drejtësinë sociale të cilat janë edhe bindja ime, unë nga sot i jam bashkuar Partisë Socialdemokrate (PSD).

Rirreshtimet në vetvete vijnë me histori të bujshme për të cilat thuren histori të hipotezuara të nduarnduarshme! Kjo imja jam përpjekur të mbetet në suazat e detyrës qytetare. Detyrë të cilën e kemi të gjithë “të qenit aktiv“.

Ftoj të na bashkohen të gjithë ata që këtë detyrë qytetare e shohin në rrugëtim me mua dhe mesin ku kam milituar Partinë Socialdemokrate!

Shteti i së drejtës mbi themelet e një drejtësie sociale është rruga që unë shoh si të ardhmen e vendit.

Andaj edhe një herë miq e opinion i nderuar kushdo që ndanë këto vlera dhe beson në këto parime ju ftoj të na bashkoheni!

Të ngjashme