Bytyqi e AAK-së: Kurti nuk po don zgjidhje por zgjedhje

Prishtinë | 07 Pri 2026 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që t’i ftojë të gjithë kryetarët e partive opozitare në një takim të vetëm kur bëhet fjalë për çështjen e zgjedhjes së presidentit, raporton Ekonomia Online.

Bytyqi në një intervistë për Ekonomia Online , tha se vetëm një takim i tillë do të kishte efekt.

Ajo ka thënë se Kurti nuk po dëshiron zgjidhje, por zgjedhje.

“Unë kam kërkuar që zoti Kurti t’i thirrë kryetarët e partive opozitare të gjithë në një takim të përbashkët, sepse ne nuk e dijmë se çka po flitet brenda në takim dhe kjo është joserioze ndaj Kurtit. Po nëse bëhet një takim i të gjithë liderëve opozitarë me Kurtin kjo do të kishte sjellë efekt, mirëpo ne po e dijmë që Kurti nuk po don me e pasë një zgjidhje por po don zgjedhje dhe po mundohet që fajin me ua gjujtë opozitës, mirëpo ne po e shohim të gjithë që Kurti po i don zgjedhjet’, tha Bytyqi për EO.

Ajo, ka deklaruar se përgjegjësia kryesore për zgjedhjen e presidentit/es  i takon partisë më të votuar në zgjedhjet e fundit, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Së pari përgjegjësia kryesore i takon Lëvizjes Vetëvendosje, sepse e ka shumicën parlamentare, mirëpo ne edhe si Aleancë e kemi cekë që nuk jemi kundër një kandidati konsensual, le ta gjejnë kandidatin konsensual dhe ne jemi të gatshëm me votu, mirëpo një kandidat partiakë normal që aty duhet një marrëveshje politike, mirëpo thashë Kurti nuk është i interesuar për një marrëveshje politike dhe normal po e zhagitë këtë punën deri në momentin e fundit siç ka ndodhë. Ne e dimë shumë mirë që në 2021-tën që edhe atëherë nuk i ka pasë numrat për president, por ka luftuar dhe i ka bërë numrat dhe çështja po vazhdon kështu”, tha Bytyqi.

Të ngjashme