Bytyqi: Largimi nga Nisma s’është tradhti, aderimi në PSD jo rastësi

Prishtinë | 27 Sht 2019 | 16:34 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka thënë se është larguar nga Nisma Socialdemokrate shkaku i “pakujdesisë së krerëve të Nismës Socialdemokrate”. Ndërsa, thotë se aderimi i tij në PSD nuk ka qenë rastësi.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Bytyqi ka rrëfyer se si erdhi deri tek largimi nga Nisma. Thotë se arsyet e largimit të tij më së miri e di Fatmir Limaj.

“Të gjitha arsyet janë brenda statusit në Facebook dhe vetëm udhëheqësit e Nismës e dinë se nuk është tradhti. Ka qenë një pakujdesi e tyre e jashtëzakonshme. Pra për çështjet e propagandës politike, për fushatë mund të përdoren çfarë do arsye apo fjalë që atyre iu shkon për shtati, por më së miri kryetari i Nismës e din saktësisht arsyen dhe pse ka qenë e pamundur të qëndroj në këtë parti. Konsideroj se është bërë e qartë e lëvizjes sime nga Nisma në PSD. Ato të cilat kanë qenë të rëndësishme edhe për vetë opinion publik, por edhe për shumë votues edhe shumë persona që tashmë janë brenda Nismës dhe kështu e kemi thënë në letrën tonë kur jemi larguar. Konsideroj se secili që mund ta ketë një interes me pa se çfarë ka ndodhur në realitet, mund t’i gjejë brenda atij postimi sepse është thënë gjithçka çka duhet të thuhet në postime të tilla”, ka thënë Bytyqi për EO.

Thotë se aderimi i tij në PSD nuk ka qenë rastësi. Ai u shpreh se politikat socialdemokrate në këtë parti, janë në përputhje me vizionin e tij.

“Pastaj aderimi ynë në PSD nuk ka ardhur në rastësi por është bërë një analizë e partive politike dhe konsideroj se përmbushja e vetvetes është zgjidhja më e mirë që është bërë në PSD, sepse janë politikat socialdemokrate që janë në përputhje me vizionin tim por që konsideroj se brenda kësaj partie ka individ që kanë një vlerë edhe intelektuale por edhe një vizion të qartë të shtetndërtimit”, ka thënë ai.

Për aderimin e tij në PSD, Bytyqi thotë se nuk ka qenë qëllim marrja e ndonjë posti, por qëllimi thotë se është dhënia e kontributit në zhvillim të partisë por mbi të gjitha me njerëz që kanë vizion të qartë.

“Duhet të jetë i qartë se unë nuk kam aderuar në PSD për marrjen e pozitave apo posteve politike, sepse në mënyrë nga dhënia e dorëheqjes nga Nisma unë kam pasur oferta nga partitë të ndryshme të cilat mund të jenë me postë shumë më të mira dhe shumë më të larta, kështu që nuk ka qenë idea ime posti por që të shkoj në atë parti ku mund japim një kontribut edhe në zhvillim të partisë por mbi të gjitha me njerëz që kanë vizion të qartë. Pra zgjedhja ime ka qenë kjo: Një parti që unë besoj ne vlerat e saj, në vlerat e individëve që gjinden në këtë parti dhe më kanë bërë që ta kem më të lehtë vendimmarrjen”.

Koalicionin AAK-PSD, Bytyqi e quan kombinim të jashtëzakonshëm që është bërë për guxim dhe dije.

“PSD-në në këto zgjedhje e shoh ashtu siç e kam menduar, pra janë vërtetë djem dhe vajza të guximshme dhe me dije të fuqishme që po i dhënë një shije dhe një vlerë të shtuar koalicionit, pra është një kombinim i jashtëzakonshëm që është bërë me guxim dhe dije dhe përkushtimin e gjithë kandidatëve për deputet, dhe mendoj që PSD është duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm brenda koalicionin, së pari në formën e mirë të funksionimit të koalicionit por padyshim edhe në qartësinë e ideve, qoftë të programit apo edhe të ideve tjera politike”.

Ai përmendi edhe disa nga brenget e qytetarëve, që sipas tij kanë ndodhur për vite në Kosovë.

Thotë se me koalicionin AAK-PSD është mundur zhgënjimi i qytetarëve, ku sipas tij, ky koalicion po i bënë qytetarët të ndien mirë që janë pjesë e këtij vendi.

Të ngjashme