Arsimi i lartë në Kosovë nuk duhet të mbetet vetëm mësimdhënie por duhet të merret edhe me hulumtime.
Kështu u tha në konferencën ku u prezantuan praktikat ekzistuese në lidhje me pjesëmarrjen e Kosovës në platformën H2020, me ç’rast u shpalos edhe rregullorja e re për funksionalizimin e pikave të kontaktit për rritjen dhe shfrytëzimin e fondeve në kuadër të platformës H2020, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se duhet që arsimi i lartë të mos mbetet vetëm mësimdhënie por të jetë edhe hulumtim.
“MAShT është duke proceduar ligjin për arsimin e lartë dhe brenda këtij ligji duhet të përfshihen ndryshimet që janë të nevojshme. Përveç që po bëjmë përpjekje që të kemi infrastrukturë ligjore, neve na duhen edhe praktika të nevojshme dhe ndihmë. Projekti i HERAS po ndihmon ministrinë për të quar këtë projekt përpara”.
“MAShT mbështet edhe mundësitë buxhetore për kërkime shkencore. Kosova e ka një status tek H2020 edhe pse nuk është anëtar i plotë kemi mundësi të kërkojmë ndihmë. Të gjitha këto përpjekje tregojnë që edhe ministria edhe institucionet tjera do të kenë mundësi të bashkpunojnë në këtë fushë. Lajmi i fundit i mirë është se ne mund të jemi antëtar të KOST-it, ku është mundësi e mirë për të rinjt tanë në fushën e hulumtimit”, tha ai.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler tha se ky projekt ndihmon Kosovën në ngritjen e cilësisë në arsim.
“Për platformën H2020 është ndarë një shumë 80 milionë euro në Evropë. Kosova duhet të jetë në gjendje të marrë pjesë më shumë në këtë mundësi që ky program e ofron. Kosova konkurron me shtete tjera që të marrë pjesë në këtë fond, duhet të bëjë disa përpjekje sepse s’mund të vijë pa bërë asgjë”, tha ai.
Qamile Sinanaj, udhëhqëse për bashkëpunimin ndërkombëtar në divizionin për edukim dhe shkencë në MAShT, tha se Kosova ka bërë përpjekje të hershme për pjesmarrje në Inovacion dhe hulumtim.
“Në vitin 2013 me përkrahje të projektit të HERAS është zhvilluar sistemi i NCP për Kosovën. Gjatë vitit të kaluar në përpjekje për të rifunksionalizuar sistemi, MAShT ka zhvilluar takime me NCP-të dhe kemi ardhur në përfundim që nuk kanë funksionuar si duhet, kemi konstatuar që duhet të rifunksionalizohet sitemi. Sistemi i NCP-ve në Kosovë do të jetë sistem i decentralizuar”.
Gorazd Weiss, ekspert kryesor i projektit në Qendrën Sociale të Inovacionit, shpejgoi parimet kryesore të sistemit të NCP-së
“Parimet kryesore të sistemeve të NCP-ve janë të ndryshme në vende të Bashkimit Evropiane. Këto sisteme organizohen në bazë të prioriteve kombetare dhe kanë nevojë të përputhen mirë në bazë të nevojave vendore. Kur themelohet një sistem i NCP-së është e rëndësishme të themelohet një plan veprimi, që do të thotë se programi i HERAS do të kontribuojë në të ardhmen”, tha ai.