Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Nismës, Shyqiri Bytyqi, në vazhdën e fushatës elektorale ka takuar artistët e kryeqytetit të cilëve iu ka premtuar trajtim më adekuat, në mandatin e tij qeverisës.
Ai tha se fillimisht do të emërojë rrugën “Edit Durham”, në qendër të Prishtinë me emrin “Rruga e Artistëve”.
“Kjo rrugë do t’iu jepet në shfrytëzim artistëve, në mënyrë që ata të kenë hapësira ku të zhvillojnë takime dhe aktivitete”, tha Bytyqi, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Arsimit tha se artistët nuk do të trajtohen në mënyrë politike, porse do të trajtohen ashtu si e meritojnë.
Ai numëroi planet që parasheh t’i realizojë në ndihmë të artistëve nëse e merr drejtimin e Komunës së Prishtinës.
Një prej tyre është rikthimi i Pallatit të Rinisë në menaxhimin e Komunës së Prishtinës, ndërsa tha se të ardhurat do të shkojnë për artistët.
Arsyeja pse nuk janë takuar në rrugë, sipas regjisorit Dibran Fyelli, është se artistët nuk kanë ndonjë vend enkas për ta.