Halat e freskëta të bredhit lëshojnë një lëng të lehtë me shije të ngjashme me atë të limonit, ndërsa ato të bredhit të vjetër do të lëshojnë një lëng më të fortë, paksa më të hidhur dhe të plotë.
AgroWeb.org këshillon që zgjedhja më e mirë është ajo e mbledhjes së halave sa më të gjelbra të mundshme, pasi ato janë më të freskëtat.
Gjethet halore të bredhit përmbajnë shumë vitaminë C, minerale dhe beta karoten.
Halat e freskëta, sythat e boçeve dhe degët e bredhit të bardhë ose atij të zi, të dy të gjendur në Shqipëri, së bashku kanë funksione bimore, madje përdorimet e tyre arrijnë deri aty sa të përdoren edhe në fermentimin e birrave artizanale.
Gonxhet e freskëta të halave të bredhit kanë ngjyrën më të bukur. Sipas kërkimeve ato kanë një nivele të jashtëzakonshme të përmbajtjes së vitaminës C.
Nëse i thani ose i ruani në ngrirje, këto gjethe halore do t’ju japin vitaminën e nevojshme dhe do të luftojnë inflamacionet në organizëm.
Gjethet halore përmbajnë karotenoidë dhe janë të pasur me minerale si kaliumi dhe magnezi. Që në kohërat e lashta, këto maja të mprehta të gjelbra janë përdorur për largimin e kollës dhe shërimin e fytit, sidomos gjatë periudhës së dimrit.
Gjilpërat e gjelbra kanë shumë klorofil që ndihmon në shërimin e plagëve, mbajnë nën kontroll oreksin, dhe transporton oksigjenin në qeliza.
Klorofili neutralizon radikalet e lira, mban sheqerin në gjak nën kontroll, përshpejton shërimin e plagëve dhe izolon metalet helmuese në organizëm.
Si të përgatisësh çajin nga haloret e bredhit
Merrni disa degëza nga bredhat, nga ato të rejat dhe të sapoçelurat ose nga degët më të vjetra nëse doni, shkëputini halat dhe lajini mirë me ujë të rrjedhshëm.
Më pas gjethet halore nga pjesa e majës së degëzimeve, që është edhe pjesa më e mirë për t’u përdorur në përgatitjen e çajit.
Këto gjethe halore – copëtojini dhe shtypini mirë. Shtypja jo vetëm që do të aktivizojë vlerat e thella të bredhit, por edhe do ta lehtësojë përthithjen e substancave mirëbërëse.
Më pas masën e përftuar e ndani dhe e vendosni nëpër filxhanë.
Shtoni nëpër filxhanë ujin e valuar nga çajniku dhe çaji me gjethet halore të bredhit do të jetë gati.
AgroWeb.org këshillon të shtoni mjaltë të mirë dhe disa pika limon që ta ktheni shijen e çajit të bredhit më afër çajrave, të cilat i konsumoni rregullisht.
Përdorime të tjera:
Halat e bredhit, njëlloj si në rastin e rozmarinës mund të përdoren në lëngje frutash dhe sallatash.
Ato mund të lihen në enë me ujë të pijshëm për një orë dhe do të lëshojnë të gjitha vlerat dhe ushqyesit. Këtë ujë mund ta pini më pas njëlloj si ujin me limon.
Haloret e bredhit mund të përdoren në supë, sallatë, perime të zgarës dhe gatime të ziera.
Ato shkojnë shumë me drithërat dhe bishtajore, pasi shumëfishojnë përthithjen e mineraleve.
Mund të përdoren për përgatitjen e salcave, majave dhe funksionojnë edhe si pasurues të mirë të vajit ekstra të virgjër të ullirit.