Çaji i lëkurës së mandarinave ka efekte të jashtëzakonshme

Prishtinë | 21 Maj 2024 | 19:54 | Nga Ekonomia Online

Mandarinat janë një ndër frutat më të mira dhe të shijshme të kësaj stine. Lëkura e tyre e portokalltë shkëlqen dhe është më e ndezur se e agrumeve të tjera.


Tuli i mandarinës është i ndarë në thela të barabarta që shkëputen lehtësisht dhe pa mund.

Çdo thelë është plot lëng dhe e pasur në shije dhe aromë.

Mandarina është e pasur në vitaminë C. Një mandarinë mesatare plotëson 31% të dozës së rekomanduar ditore të kësaj vitamine të rëndësishme.

Përse nuk duhen hedhur lëkurat e mandarinës

Kur hamë mandarina, na vjen natyrshëm që të hedhim lëkurat e tyre. Por sipas të dhënave të AgroWeb.org lëkura e mandarinës është e fuqishme në uljen e kolesterolit. Kjo aftësi është konfirmuar nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë dhe nga studime të ndryshme shkencore. Shumë studime rekomandojnë përgatitjen e çajit të lëkurës së mandarinës.

Vlerat e lëkurës së mandarinës:

Ul kolesterolin

Një studim i publikuar në revistën “Journal of Agricultural and Food Chemistry” tregoi se lëkura e mandarinës ka vlera shëndetësorë më të fuqishme se vetë lëngu i mandarinës.

Këto vlera janë të larmishme sidomos për uljen e kolesterolit. Sipas studimit, lëkura e mandarinës përmban 20 herë më shumë antioksidantë se lëngu i mandarinës. Antioksidantët janë substanca kimike që neutralizojnë dëmin e shkaktuar nga oksidimi dhe toksinat në organizëm.

Vlera për shëndetin

Ekspertët kinezë rekomandojnë përdorimin e lëkurës së mandarinës jo vetëm në çaj por edhe në gatime të ndryshme. Sipas tyre, lëkura e mandarinës është e dobishme për të përmirësuar tretjen dhe kundër të përzierave tek gratë shtatzënë. Vlera të tjera të lëkurës së mandarinës përfshijnë balancimin e sheqerit në gjak, pastrimin e mëlçisë dhe lehtësimin e simptomave të të ftohurës, gripit dhe stresit.

Përgatitja e çajit të lëkurës së mandarinës:

Hiqeni lëkurën e mandarinës dhe lëreni të thahet. Lëkurën e thatë mund ta mbani në enë qelqi me kapak të puthitur fort dhe ta ruani në një vend të errët dhe të freskët. Në këtë mënyrë, lëkurën mund ta përdorni për shumë muaj.

Përgatitja e çajit kërkon copa të vogla të lëkurës së thatë të mandarinës. Vendosini copat e lëkurës në një filxhan çaji. Hidhni sipër tyre ujë të nxehtë dhe lërini të qëndrojnë së bashku për disa minuta. Shtoni mjaltë sipas dëshirës dhe konsumojeni menjëherë.

Lëkurat e thata të mandarinës mund t’i shtoni edhe në çajra të ndryshëm siç është ai i ziu.

Të ngjashme