Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, tha se asnjë gjykatë në botë nuk mund ta rishkruajë historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Pas ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Cakaj tha se sjellja e krerëve të UÇK-së dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në këto dy ditët e fundit është dinjitoze.
“Kërkesa e drejtësisë së vërtetë është e qartë: Serbia, jo Kosova, do të duhej të ballafaqohej me të kaluarën e saj kriminale dhe të dorëzonte kriminelët e luftës (të veshur edhe me kostumin e politikanëve të sotëm) para drejtësisë.
Krimet e supozuara të luftës në Kosovë janë hetuar nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i, gjykatat vendore dhe tani, në mënyrë krejtësisht të njëanshme, edhe nga Gjykata Speciale. Kosova, ndryshe nga Serbia, deri më sot ka treguar të gjithë gatishmërinë e nevojshme për të bashkëpunuar me të gjithë mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare. Kosova s’ka asgjë për të fshehur: lufta e saj ka qenë e pastër dhe e drejtë.”, thuhet në statusin e tij në Facebook.
“Sjellja e krerëve të UÇK-së dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në këto dy ditët e fundit është jo vetëm dinjitoze në rrafsh personal dhe kombëtar, por edhe shprehje e gatishmërisë së plotë për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën. Ata sot edhe njëherë mbartin barrën e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së dhe gjithë historisë së vonë të Kosovës. Ne mbesim krejtësisht të bindur në drejtësinë e luftës dhe në pafajësinë e krerëve të Ushtrisë”, përfundon ai.