Ministri në detyrë për Evropën dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Trafikut Rrugor dhe Transportit në Ministrinë Federale të Transportit të Gjermanisë, Guido Zielke.
Cakaj tha se do të vazhdohet puna drejt marrëveshjes përfundimtare për njohjen reciproke të patentë shoferëve.
Ai përmes një shkrimi në Facebook tha se kjo do të lehtësonte jetën e shqiptarëve në Republikën Federale të Gjermanisë.
“Pas një procesi verifikimi teknik për procedurat e marrjes së lejeve të drejtimit dhe sigurinë në trafik në Shqipëri, do të vazhdohet menjëherë me dinamikë të shtuar drejt marrëveshjes përfundimtare që do të lehtësonte jetën e shqiptarëve në Republikën Federale të Gjermanisë”.
“Përderisa ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për ta arritur marrëveshjen sa më parë, duhet marrë parasysh se procesi i vendimarrjes për njohjen e patentave është i gjatë pasi duhet të shqyrtohet në të 16 landet e Gjermanisë përpara se të kalojë për miratim në nivel federal. Prandaj, këtu kërkohet sa punë, aq edhe mirëkuptim! Ne do të vazhdojmë punën për të ndërlidhur objektivat madhore të politikës së jashtme me nevojat ditore të qytetarëve shqiptarë”.