Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka reaguar lidhur me ngritjen e fondit ndërshtetëror për mbështetjen financiare të Luginës.
Përmes një statusi në Facebook, ka thënë se shënon një momentum të ri politik në përpjekjet e të dy qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për të lartësuar pozicionin e për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
“Lugina e Preshevës është rajoni me shumicë shqiptare më i pazhvilluar në Serbi e shqiptarët e Luginës së Preshevës janë një prej pakicave kombëtare më të nënpërfaqësuara në rajon. Ndaj, mbështetja institucionale, diplomatike e financiare për Luginën sot, nuk është vetëm detyrë e patjetërsueshme kombëtare, por edhe veprim i domosdoshëm politik”, u shpreh Cakaj në postim.
Më tej, Cakaj bëri me dije se së shpejti të dy qeveritë do të ndërmarrin edhe disa masa të tjera në mbështetje të Luginës së Preshevës.