Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka zhvilluar gjatë ditës një numër telefonatash me përfaqësues institucionalë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Luginë të Preshevës.
Siç bën të ditur ai në një njoftim në Facebook ai ka biseduar për shëndetin e bashkëkombësve masat e ndërmarra në luftën kundër pandemisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit të shtuar në mposhtjen përfundimtare të COVID-19.
“Bisedova me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, z. Glauk Konjufca, zv. Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Bujar Osmani, Kryetarin e Tuzit, z. Nik Gjeloshaj e zv. Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, z. Genci Nimanbegu dhe, natyrisht, me Kryetarin e Bujanovcit, z. Shaip Kamberi, Kryetarin e Preshevës, z. Shqiprim Arifi dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Ragmi Mustafa”.
“Ndonëse në këtë luftë jemi sfiduar të gjithë, së bashku do t’ia dalim pa asnjë diskutim! Natyrisht, ne do ta ruajmë komunikimin institucional për të bashkërenduar veprimet tona sipas nevojave”.