Cakolli: Aktgjykimi i Kushtetueses s’është risi, reagimi i Bashës sidomos në aspektin ligjor është tejet problematik

Prishtinë | 29 Jan 2026 | 11:01 | Nga Drita Dërmaku

Menaxheri i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli ka vlerësuar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq nuk përbën risi dhe as nuk ka qenë i papritur derisa reagimin e kryetarit në detyrë të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha e cilësoi problematik, raporton Ekonomia Online.

Cakolli për Ekonomia Online tha se vendimi vetëm sa ka thelluar dhe konfirmuar qëndrimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese, duke qartësuar mënyrën se si duhet të realizohet përfaqësimi i komuniteteve në institucionet e vendit.

“Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, as nuk solli risi e as nuk ishte vendim i papritur, meqenëse ai vetëm e thelloi edhe më tutje dhe konfirmoi logjikën e vendimit paraprak, sipas të cilit ishte përcaktuar qartazi edhe atëherë që çështja e zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve, për shkak të garancive kushtetuese në raport me përfaqësimin e tyre, duhet të bëhet në atë mënyrë që e merr parasysh legjitimitetin qytetar. Dhe nëse do t’i njihej e drejta shumicës për të refuzuar kandidatë të caktuar, kjo do të mund ta cenonte pastaj vetë idenë e përfaqësimit”, tha Cakolli.

Cakolli nënvizon se ky aktgjykim ka rikonfirmuar edhe njëherë cështjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komuniteti serb.

“Aktgjykimi unë besoj që ka rikonfirmuar edhe një herë çështjen e propozuesit të nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, por pa i shfuqizuar mekanizmat e deblokimit që ishin përcaktuar paraprakisht. Andaj unë konsideroj që ky vendim është hapi i fundit drejt qartësimit të plotë të të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me konstituimin e Kuvendit, duke hequr vlerësoj çdo dilemë sa i përket rrugës që duhet ndjekur për funksionalizimin e institucioneve, që përgjatë këtij viti është e qartë që ka degraduar në pikën ku secila mbase pikë kushtetuese që ndërlidhet me konstituimin e Kuvendit është problematizuar si e tillë“, shpjegoi Cakolli.

Duke folur për reagimin e kryetarit në detyrë të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, Cakolli ka theksuar se pse reagimi është problematik sidomos në aspektin ligjor.

“Sa i përket reagimit të kryetarit të legjislaturës paraprake, besoj që ai reagim, sidomos në aspektin ligjor është tejet problematik përtej diskursit dhe narracionit politik që ai tenton të përçojë, për shkak se në radhë të parë tentohet që të bëhet një barazim në mes të mospropozimit dhe moszgjedhjes së kandidatëve të propozuar nga dikush. Dhe së dyti, përpjekja për ta paraqitur veten si interpretues i fundit dhe përfundimtar i rregullores, një përgjegjësi e cila në fakt sa i përket kryetarit të Kuvendit vlen vetëm për menaxhimin e seancës, por kjo nuk nënkupton që ka imunitet nga kontrolli kushtetues i këtij lloji“, tha ai.

Ai ka sqaruar se Gjykata Kushtetuese ka trajtuar qartë çështjen e kandidimit nga partitë që përfaqësojnë shumicën e votave të komunitetit serb.

 “Sa i përket çështjes se zgjedhjes përkatësisht kandidimit nga radhët e partive që ka shumicën e votave të komunitetit serb, Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar qartazi që nuk ka pasur refuzim meqenëse ata kanë dashur që ta ushtrojnë të drejtën e tyre. Dhe në fakt ka qenë një pikë në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar ku është përcaktuar që mekanizmi i tri kandidaturave maksimale për një individ nuk mund të jetë bazë për bllokimin e procesit dhe normalisht do duhej që të kishte një dakordim më të gjerë për ta kaluar këtë pikë. Sa i përket menaxhimit të seancës dhe rolit të kryetarit në interpretimin e Kushtetutës, unë besoj që kjo çështje shkon përtej interpretimit të një apo dy neneve përkatëse”, tha ai për EO.

Cakolli thotë se kjo është hera e parë që publikisht një zyrtar publik sikurse është Basha konteston vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Unë besoj që problemi kryesor është nëse funksionarët publikë dhe bartësit e pozitave më të larta institucionale do të fillojnë që të paraqiten si interpretuesit e vetëm të Kushtetutës, madje edhe atëherë kur tregojnë se kur Gjykata Kushtetuese e ka shkelur Kushtetutën apo jo, që normalisht do të kishim si rezultat, mbase në skenarin më të keq, një zëvendësim të rendit kushtetues me interesa momentale të njëra-tjetrës apo palës tjetër, që është absolutisht një zhvillim tejet negativ, për shkak se Kosova tash e sa vite ka etabluar një praktikë dhe një diskurs ku aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se mund të mos u konvenojnë palëve (dhe këtu përfshijmë rrëzimin e kryeministrave e presidentëve), janë respektuar si të tilla. Dhe unë besoj që kjo është hera e parë që një bartës i institucionit, publikisht del dhe thotë që ky aktgjykim jo vetëm që është i gabuar, por ajo çfarë kemi bërë është në përputhje me Kushtetutën, që është formë direkte e kontestimit të autoritetit të Gjykatës në raport me kontrollin kushtetues“, potencoi Cakolli.

Sipas Cakollit, aktgjykimi i fundit e bën të qartë edhe mënyrën se si duhet të përmbyllet procesi i konstituimit të Kuvendit.

“Tashmë me aktgjykimin e djeshëm është e qartë që në procedurën e konstituimit të Kuvendit, në rast se Lista Serbe do të propozojë kandidat, atëherë është pothuajse e pashmangshme që një prej kandidatëve të propozuar nga kjo forcë politike të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit, në mënyrë që të përmbyllet procesi i konstituimit të Kuvendit. Çfarëdo përpjekje për t’i ikur këtij obligimi, qoftë përmes lënies vakante të pozitës në fjalë (që është përmendur dje nga eksponentë të caktuar), apo përpjekja për ta përsëritur të njëjtin standard në rast se Lista Serbe nuk do të nominojë kandidatin Nenad Rashiq, atëherë unë besoj që do të shkonim drejt një shkeljeje tjetër kushtetuese, e që për më keq në rastin e tanishëm do të kishte pasoja edhe më të rënda“, tha tutje ai.

Cakolli ka paralajmëruar për pasojat kushtetuese dhe financiare të vonesave në konstituimin e institucioneve.

“Duke ditur që nëse deri më 5 mars nuk zgjidhet presidenti i ri i vendit, atëherë ne hyjmë në një shkelje kushtetuese që do të na çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Dhe si të tilla, i bie që në fakt nëse rezultatet do të certifikohen nga mesi i këtij muaji, Kuvendi do të ketë maksimalisht tri javë ditë kohë për ta zgjedhur kryetarin, nënkryetarët, kryeministrin dhe presidentin e vendit. Andaj çfarëdo vonese në këtë drejtim, e aq më pak shkelje kushtetuese, rrezikon ta cenojë funksionimin e rregullt dhe kushtetues të institucioneve të tjera, përkatësisht edhe mbase ta fusë Kosovën në një krizë edhe financiare për shkak të pamundësisë së votimit të buxhetit, që nëse nuk ndodh më së largu deri më 28 shkurt, nga 1 marsi e tutje nuk mund të ketë asnjë pagesë nga thesari i shtetit, përfshirë paga, shtesa, pensione apo cilëndo pagesë tjetër“, shtoi ai.

Të ngjashme