Cakolli, DnV: Deri në orën 17:00 kanë votuar 38.9 për qind

Prishtinë | 09 Shk 2025 | 18:51 | Nga Gzim Mujaj

Eugen Cakolli nga Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim ka thënë se deri në orën 17:00 kanë votuar 38.9 për qind, raporton Ekonomia Online.

Cakolli theksoi se sa i përket daljes në kuptim të regjioneve, janë dy rajone që kanë mesataren mbi mesataren e nivel vendi.

“Dhjetë orë që nga hapja e vendvotimeve në të gjithë vendin, është raportuar se procesi i votimit po rrjedh i qetë dhe me një interesim të shtuar të qytetarëve për të votuar. Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV), dalja në votime deri në orën 17:00 është rreth 38.9% (me margjinë gabimi+/-0,75). Rikujtojmë se të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1,970,944 qytetarë ose 174,888 më shumë nga zgjedhjet e kaluara lokale”.

“Regjionet me dalje më te madhe, mbi mesataren në nivel vendi (ose mbi 40%) janë ai i Prishtinës, komunave me shumicë serbe dhe ai i Ferizajt. Regjionet me dalje sa mesatarja në nivel vendi janë Gjilani dhe Mitrovica e Jugut ndërsa me dalje më të ulët sesa mesatarja në nivel vendi janë regjioni i Pejës, Prizrenit dhe Gjakovës”.

Dukuria më prevalente që e ka përcjellë procesin e votimit që nga mëngjesi kishte të bëjë me ankesat e qytetarëve për t’a gjetur vendvotimin e duhur. Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se deri në orën 17:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listën e Votuesve, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat ka pasur në 53% të vendvotimeve, deri në 10 raste. Madje, në 18% të vendvotimeve është raportuar që ka pasur deri në 50 raste kur votesit kanë pasur vështirësi për të gjetur vendvotimin e duhur.

Numri i vendvotimeve në gjithë vendin është 2,589 ose 8% më shumë se në vitin 2021.

“Deri në orën 17:00, nga numri i deritanishëm i qytetarëve që kanë votuar, 6% prej tyre kanë votuar me asistencë, e më shumë se dy të tretat prej tyre janë gra. Këto raste të asistencës konsiderohen të rregullta pasi të njejtat janë evidentuar në Librin e Votimit. Por nuk janë përjashtuar rastet e mosevidentimit të votimit me asistencë dhe atë në 8% të vendvotimeve, deri në 10 raste”.

“Edhe pse votimi me asistencë është i dedikuar kryesisht për votuesit që nuk dijnë shkrim dhe lexim apo ata me aftësi të kufizuara, në 30% të vendvotimeve megjithatë janë hasur raste të izoluara ku votues të rinj në moshë kanë kërkuar të votojnë me asistencë. Edhe gjatë pasdites, kanë vazhduar të evidentohen raste të izoluara kur më shumë se një votues ka qëndruar prapa kabinës së votimit, dhe atë si fenomen në 15% të vendvotimeve”, ka thënë ai.

Të ngjashme