Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e ka cilësuar të papranueshëm faktin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë si votues në zgjedhjet e përgjithshme paralamentare në Shqipëri, të cilat po mbahen sot.
Cakolli ka thënë se nuk është aspak në rregull që dikush që ka pushtet ekzekutiv të votojë në zgjedhjet e një vendi tjetër.
“Kur dikush në cilësinë e qytetarit të thjeshtë, voton në zgjedhjet e një vendi tjetër, është deri diku e pranueshme.
Por, kur qytetari është dikush që mbart pozitë politike, e madje pushtet ekzekutiv, kjo s’është aspak në rregull”, ka shkruar ai.
“E kur qytetari rastis të jetë kryeministër, që përfaqëson edhe platformë politike për zgjedhjet në vendin tjetër, kjo e bën situatën të papranueshme”, ka shtuar Cakolli.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, votoi në zgjedhjet e sotme në Shqipëri pak pasi u hapën vendvotimet, ndërsa i ka ftuar qytetarët e Shqipërisë që ta bëjnë të njëjtën.
“Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë. I ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që sot ta respektojnë atdheun duke votuar dhe bërë zgjedhjen më të mirë. Dita është e bukur, e dielë, me diell, kështu do të jetë deri në mbrëmje. Uroj ditë të bukura dhe mbarësi për Shqipërinë dhe secilin njeri që ashtu sikurse unë, e ka pasaportën e Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar Kurti pas votimit.