Menaxheri në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka reaguar lidhur me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, duke ngritur pikëpyetje për respektimin e afateve kushtetuese.
Përmes një postimi, Cakolli ka kritikuar vendimin për mbajtjen e seancës jashtë afateve, pa iu drejtuar paraprakisht Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar pasojat juridike.
“Qysh thirret dhe merret pjesë në një seancë jashtë çdo afati kushtetues, pa iu drejtuar njëherë Gjykatës Kushtetuese për pasojën juridike të shkeljes së afatit?”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka theksuar se, sipas tij, situata bëhet edhe më problematike pasi seanca është caktuar më shumë se një muaj pas skadimit të afatit për konstituimin e Kuvendit.
“Sidomos kur seanca do të mbahet mbi një muaj pas skadimit të afatit tepër të qartë për konstituim sipas aktgjykimit të Gjykatës, madje edhe pas afatit shtesë të shpikur si gjoja kushtetues?”, ka deklaruar ai.
Cakolli ka ngritur pyetjen nëse afatet kushtetuese mund të tejkalohen në rastet kur nuk parashihet një pasojë konkrete për shkeljen e tyre.
“A i bjen kjo që secili afat kushtetues që s’e ka të përcaktuar një pasojë konkrete mund të tejkalohet, ndërsa akterët të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë?”, ka shkruar ai.
Cakolli ka paralajmëruar se mosrespektimi i afateve kushtetuese rrezikon t’i shndërrojë ato në afate politike.
“Sepse nëse afatet vlejnë vetëm kur u konvenojnë partive, ato pushojnë së qeni afate kushtetuese dhe shndërrohen në afate politike”, ka shtuar Cakolli.