Cakolli: Vendi gjendet në një fazë që ngjan më shumë me mospranim de facto të rezultateve zgjedhore

Prishtinë | 26 Tet 2025 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar pas mosformimit të qeverisë nga seanca e mbajtur sot.

Në një postim në Facebook, Cakolli e cilësoi jo normale vonesën e formimit të qeverisë.

“Ky nuk është modeli politik i funksionimit institucional që duhet ta aspirojë Kosova. S’është normale që, shtatë muaj pas certifikimit të rezultateve, të arrijmë në seancën kryesore – atë të votimit për Qeverinë – pa marrëveshje politike që garanton shumicën në Kuvend dhe pa vullnet të sinqertë për kompromis”, ka shkruar ai.

Cakolli shtoi se mosformimi i qeverisë nuk ka qenë cështje kushtetuese por pasojë e përdorimit të diskursit publik dhe taktizimeve procedurale.

“Tanimë është e qartë se, gjatë gjithë kësaj kohe, problemet nuk kanë qenë ligjore apo kushtetuese, por pasojë e përdorimit të qëllimshëm të taktizimeve procedurale dhe të diskursit publik për të zvarritur procesin. Mungesa e stabilitetit institucional, rrezikimi i buxhetit dhe i kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës nuk janë shqetësime që lindën sot. Ato kanë qenë reale e të njohura prej muajsh – kohë kjo që u harxhua duke shmangur marrëveshjen politike dhe ndërtuar narrativën e viktimizimit”, tha ai.

Se vendi përballet me një fazë që nuk ka pëlqueshmëri të rezultateteve të zgjedhjeve Cakolli edhe shtoi se procesi politik është kthyer në një garë për fajësim.

“Në thelb, vendi gjendet në një fazë që ngjan më shumë me mospranim de facto të rezultateve zgjedhore, për shkak të moskënaqshmërisë me to. Procesi politik është kthyer në një garë për fajësim, në prag të zgjedhjeve të reja që tashmë duken të pashmangshme – sepse nuk ekziston interes i vërtetë për një qeveri disa mujore, nga asnjëra palë. Këta muaj duhet të na mësojnë se demokracia nuk funksionon pa dialog, kompromis dhe respekt ndaj rezultateve, mbi bazën e të cilave pastaj sigurohet formimi dhe funksionimi normal i institucioneve”, shtoi Cakolli.

Të ngjashme