Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë, për 24(njëzet e katër)të dyshuar, të cilët janë ndaluar gjatë aksionit të djeshëm të zhvilluar nga organet e ndjekjes.
Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit R.S., L.M., F.A., A.A., N.M., H.Rr., P.Sh., A.D., F.B., R.K., I.Th., R.A., A.Th dhe F.K., që nga muaji nëntor 2019, në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në territorin e fshatit Karaçevë komuna e Kamenicës, në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë ndërmarrë veprime për të kontrabanduar gjedhe, të cilat i kanë bartur përmes rrugëve ilegale jashtë vijës kufitare, duke iu shmangur kontrollit doganor.
Me këto veprime të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’kontrabandimi me mallra’’, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Të pandehurit J.H., N.Sh., Sh.K., K.M., U.A., B.R., A.H., H.M. dhe J.B., që nga muaji dhjetor 2019, si persona përgjegjës të bizneseve për përpunimin e mishit, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror, kanë blerë gjedhe, për të cilat kanë pasur dijeni se janë të kontrabanduara dhe me qëllim të shitjes kanë prodhuar dhe vënë në qarkullim produkte të mishit, pa u bërë kontrollet e nevojshme sipas standardeve.