Këshilli Prokurorial i Kosovës gjatë takimit të sotëm ka caktuar prokurorin Shaban Spahiu si ushtrues të detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit, pozitë të cilën do ta mbajë deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri.
KPK në këtë takim ka autorizuar Komisionin për Çështje Normative të përgatisë Udhëzuesin për qasjen e avokatëve në objektet e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.
Po gjatë këtij takimi, zyrtari i Burimeve Njerëzore, Sajmir Gjoci, është caktuar zyrtar për mbrojtjen e të dhënave personale në sistemin prokurorial, paraprakisht anëtarët e Këshillit votuan për lirimin nga detyra të zyrtarit që deri më sot e ka ushtruar këtë pozitë.
Këshilli miratoi edhe vlerësimin e dytë të performancës në mandatin fillestar të 20 prokurorëve të Shtetit, të cilët do të propozohen te institucioni i Presidentit të Republikës së Kosovës për dekretim me mandat të përhershëm.