Lorik Cana, ish kapiteni i Kombëtares shqiptare, nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta drejtojë Shqipërinë në të ardhmen.
Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, u ka dhuruar tifozëve një kënaqësi të veçantë duke komunikuar drejtpërdrejt me ta nëpërmjet një bashkëbisedimi në “Instagram”.
Cana u është përgjigjur pyetjeve të shumta që i bënin tifozët, derisa gjatë bashkëbisedimit nuk e ka përjashtuar mundësin që ta drejtoj Kombëtaren në të ardhmen.
“A do të bëhesh trajner i kombëtares? Nuk e kam unë në dorë atë. Mbas disa viteve besoj, kur të bëj edhe pak përvojë”, ka deklaruar Cana, i cili aktualisht është duke ndjekur kursin për trajner në Tiranë.
Cana, i cili pas Euro 2016 është pensionuar nga Kombëtarja, aktualisht është pa klub pas ndarjes me ekipin francez, Nantes. Por, si duket kosovari ka vendosur që përfundimisht të largohet nga fusha e gjelbër.
“A do rikthehesh më të luash futboll? Nuk besoj, do shohim, se si ndjehem, a kam më dhimbje apo jo”, ka theksuar ish anëtari i PSG’së, Marseilles, Sunderlandit, Lazios dhe Galatasarayt.