Aktorja Carey Mulligan ka thënë të jetë alarmuar, pasi që një revistë e njohur ka publikuar një kritikë për filmin e saj të ri, në të cilin vihet në pikëpyetje nëse ajo ishte mjaftueshëm atraktive për rolin.
Kritika e parë e revistës “Variety” rreth filmit “Promising Young Woman”, një komedi kjo e zezë në të cilën aktorja e portretizon rolin e karakterit Cassie, një grua që i mashtron burrat në besimin se është tepër e dehur për t’u pajtuar për marrëdhënie seksuale, thoshte: “Mulligani, një aktore e mirë, duket paksa zgjedhje e çuditshme për rolin e gruas qartazi fatale që i çmend burrat –Margot Robbie është producent këtu, dhe vetëm mund të merret me mend (mbase fare lehtë) se roli fillimisht mund t’i jetë destinuar asaj. Ndërkaq me këtë yll, Cassie i bart rrobat me tërheqëse në trajtën e zvarritjes së keqe; edhe flokët e saj të gjatë biond duken si të mos jenë të saj”.
Kritika, mes tjerash, e lavdëron performancën e Mulliganit, duke e quajtur “të shkathë, argëtuese dhe sfiduese”.
Duke folur gjatë kësaj jave në kuadër të video-serive të “Variety”, Mulligan ka theksuar çfarë ajo mendon se janë nënvlera dhe vlera poshtëruese që po e ushqejnë debatin kulturor.
“Mendoj se është me rëndësi që kritika është konstruktive. Mendoj se është me rëndësi se po i shikojmë gjërat e duhura kur flasim për punë dhe po i shikojmë artin dhe performancën”, ka thënë Mulligan. “Por nuk mendoj se e njëjta do të duhej të vlente për pamjen e një aktori apo performancën se si një aktor do të duhej apo jo të dukej – gjë që mendoj se ky artikull e ka bërë. Mendoj se të kritikuarit apo ankesat e mungesës së tërheqshmërisë prej anës sime ishte një shpërfillje personale. Nuk ma ka lënduar egon, por më ka shqetësuar fakti se në një publikim kaq të madh mund të kritikohet aparenca e aktores dhe se kjo do të mund të pranohej si një kritikë krejtësisht e arsyeshme”.
Kritika e Dennis Harveryit ishte publikuar më 26 janar 2020, kur “Promising Young Woman” ishte dhënë premierë në festivalin e filmit “Sundance”.
Mulligan çështjen e rrahu fillimisht nëpërmjet një interviste për “New York Timesin” në dhjetor, pas së cilës “Variety” e plotësoi kritikën me një shënim të redaktorit, ku thuhej: “’Variety’ i kërkon sinqerisht falje Carey Mulliganit dhe shpreh keqardhje për gjuhën e pandjeshme dhe ofenduese në kritikën tonë për ‘Promising Young Woman’ që e minimizon performacën e saj të guxuar”. Megjithatë, aludimi fillestar i Harveyit figuron ende në tekst.
Reagimet ndaj kritikës kanë anuar kryesisht kah Mulligani, ndonëse Jeffrey Wells, nga web faqja “Hollywood Elsewhere”, ka kritikuar “Varietyn”, duke thënë: “Ata i kanë shpërlarë tërësisht duat nga Harveyi në këtë instancë dhe pak a shumë e kanë hedhur poshtë autobusit”.
Në kritikën e “Guardianit” rreth “Sundances”, Benjamin Lee ka lavdëruar aktrimin “sensacionalisht të mirë” të Mulliganit, duke shkruar: “Aso performance që kurrë nuk rrënohet, vetëm se ndërtohet e ndërtohet derisa përfundimisht nuk shpërthen… është e pamundur t’i largoni sytë prej saj, kureshtarë për të parë se çfarë do të bëjë ajo më tutje”.
Duke folur për “New York Timesin” muajin e kaluar, Mulligan ka thënë se kritika e “Varietyt” ishte “faktikisht sikur të thuhej se nuk janë mjaftueshëm joshëse për një hile të tillë”.
“Më ka çmendur fort kjo gjë. Thashë: “Përnjëmend? Për këtë film ju do të shkruani diçka që është aq transparente? Tani? Në vitin 2020? Thjesht nuk mundja të besoja”.
Mulligan këtë gjë e shtjelloi edhe në videoseritë e “Varietyt”.
“Është me rëndësi të preken këto gjëra, ngase duken të vogla dhe të parëndësishme”, ka thënë ajo. “Njerëzit përreth meje më thoshin tërë kohës: ‘Oh, kapërceje. Njerëzit e duan filmin’. Por më është ngulitur, sepse mendoj se janë gjërat e këtilla të përditshme që e zmadhojnë gjithë këtë”.
Mulligan ka shtuar të jetë përmbushur nga përgjigjja e revistës.
“Isha disi e befasuar dhe e ngazëllyer se më është kërkuar falje”, ka thënë ajo.
“Promising Young Woman” është shkruar dhe drejtuar nga Emerald Fennell – portretizimi i së cilës në rolin e Camillas në “The Crown” është lavdëruar shumë.
Filmi u dha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ditën e Krishtlindjes, por data e publikimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar ende nuk dihet, ndonëse fillimisht ishte paraparë për prillin e 2020-s.
“Promising Young Woman” është vetëm njëri prej filmave kryesorë – përfshirë “The Mauritanian” dhe “Nomadland” – që synon shfaqjen në Britani të Madhe në fund të marsit, kur besohet se mund të zbuten masat e izolimit shkaku i koronavirusit.