Çdo e treta studente në universitete publike ka deklaruar se ka pasur ngacmim seksual, shumë prej rasteve nuk raportohen

Prishtinë | 27 Maj 2024 | 18:35 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nga 300 studente të pyetura, 100 nga to kanë deklaruar se kanë pasur ngacmime seksuale në universitetet publike.

Këto të dhëna janë prezantuar në tryezën me temën “Sfidat e studentëve të universiteteve publike në Kosovë”, ku merrnin pjesë dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ajo e Arsimit, Arbërie Nagavci, raporton Ekonomia Online.

Ngjarja është organizuar nga Kongresi i Aktivizimit Studentor në bashkëpunim me Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).

“Në hulumtimin e ‘Kosova 2.0’ me mbi 300 studente, 100 prej tyre kanë raportuar se kanë pasur ngacmim seksual”, tha Dea Hoxha, nga Kongresi i Aktivizimit Studentor.

Ajo ka kërkuar nga Ministrja e Drejtësisë mbështetje, komisione hetimore, edukim dhe rritje të përgjegjësisë ligjore.

Hoxha, e cila është sekretare e përgjithshme e këtij kongresi, përmendi hulumtimin për cilësinë e arsimit në universitete, duke thënë se nga rezultatet, fenomeni më negativ është kopjimi me 34 për qind dhe 18.5 për qind sjellja arrogante e profesorëve.

Për këtë çështje, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se sot ishte takim i grupit ndërministror, në të cilin janë adresuar çështjen e ngacmimeve seksuale.

“Shumë prej rasteve nuk raportohen si shkak i bullizmit, paragjykimeve në rrjetet sociale, por ne kemi nisur reformën në drejtësi”.

Haxhiu tregoi se në një letër që kanë pranuar nga Rektorati i UP-së bëhet e ditur se për të shmangur ngacmimet e mundshme, tashmë profesorët nuk mbajnë konsultimet me studentë në zyrat e tyre, në hapësira me transparente. “Pra ata janë të vetëdijshëm”.

“Për bindjen time, aspekti ligjor është i mjaftueshëm, por ka mangësi në implementim. Sa i përket viktimave ne i mbështesim organizatat me 1.5 milionë euro ne vit, organizatat që merren me viktimat, martesat e hershme po ashtu 31% të rasteve janë para moshës 18-vjeçare. Andaj jemi duke punuar në këtë drejtim”, tha Haxhiu.

Tutje, Haxhiu kërkoi nga studentët që t’i adresojnë të gjitha sfidat me të cilat përballen.

“Përmes aktivizmit studentor mund t’i adresoni shumë sfida me të cilat përballeni, natyrisht se për dallim me kohën kur kemi qenë ne studentë ka qenë shumë më ndryshe se nuk kanë qenë organizata studentore kaq të fuqishme, prandaj me lejoni t’iu uroj suksese në qëllimet që keni. Ne jemi të hapur për diskutime tjera në fakultetet nga ju vini”, tha Haxhiu.

Edhe studentët që ishin pjesëmarrës në këtë tryezë kanë shtruar pyetje për ministren Haxhiu dhe ministren e Arsimit Arbërie Nagavci, lidhur me ngacmimet seksuale në Universitete, si dhe tema tjera me interes për ta.

Ndërsa, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, përgëzoi studentët pjesëmarrës për aktivizimin e bërë duke shprehur inkurajimin të jenë sa më aktiv për çështjet me interes për shoqërinë.

“Vazhdojmë të përballemi me sfida gjithandej në arsim dhe duhet te kemi parasysh si të bëjmë adresimin e tyre, duhet përmendur që në strategjinë e arsimit 2022-26. Arsimi i lartë është një prej shtyllave kryesore, do e përmendja miratimin e ligjit për agjencinë kosovare të akreditimit. Një gjë tjetër që e konsiderojmë si rezultat është këshilli kombëtar i shkencës, edhe këtë pas gati një dekade, i cili jep orientime për vendin tone drejtë shkencës”, tha Nagavci.

Ajo shtoi se për herë të parë qeveria Kurti ka mundësuar arsimin e lartë pa pagesë dhe kanë krijuar politika me mbështetje financiare, për mbi 40 mijë studentë, po ashtu duke ofruar bursa.

Tutje Nagavci përmendi çështjen e autonomisë së universiteteve publike duke thënë se gjatë kohës së Qeverisë Kurti nuk ka pasur asnjë ndërhyrje politike.

Të ngjashme