Kushtetuta jonë në kapitullin VII (Sistemi i Drejtësisë), ndër të tjera (neni 111), thekson se Avokatura është profesion i pavarur, e cila ofron shërbime sikur është e rregulluar me ligj.
Krahas sistemit gjyqësor (gjykatave) dhe atij prokurorial (prokurorit të shtetit), avokatia është pjesë e sistemit të drejtësisë, e sa i përket mënyrës së fitimit të së drejtës për të ushtruar profesionin e avokatit, si dhe marrja e kësaj të drejte, rregullohen me ligj, përkatësisht me Ligjin nr. 04/L-193 për Avokatinë.
Ky ligj, ndër të tjera rregullon edhe çështjen e ushtrimit të funksionit të avokatisë nga avokatët e shteteve të tjera në Republikën e Kosovës, i cili në nenin 40, ndër të tjera përcakton: Avokatët nga shtetet e tjera mund të ushtrojnë profesionin e avokatit në territorin e Republikës së Kosovës nën kushtet e reciprocitetit.
Konfirmimin për ekzistimin e reciprocitetit e lëshon Ministria e Drejtësisë pas marrjes paraprake të mendimit të Odës së Avokatëve.
Me Statutin e Odës së Avokatëve, rregullohen kushtet, mënyra dhe procedura sipas të cilëve avokatët nga shtetet e tjera mund të ushtrojnë profesionin e avokatisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Pra, avokatët e huaj (përfshirë edhe ata të Republikës së Shqipërisë) mund ta ushtrojnë funksionin e avokatit në Republikën e Kosovë, me kusht që të konfirmohet që edhe avokatët e Kosovës mund ta ushtrojnë këtë funksion në Shqipëri, pra në rrethana të reciprocitetit.
Oda, përveç se është institucion i paraparë me ligj dhe përfaqësuese e një funksioni të kategorisë kushtetuese, përveç se do të duhet të jetë e përfshirë në çdo proces negocimi për çështjen e marrëveshjeve ku flitet për këtë funksion, ajo ka rrol esencial në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të tilla.
Çfarëdo tendence për ta anashkaluar, apo për të mos u përfshirë në procese të tilla, këto marrëveshje i bënë të pazbatueshme.
Diskursi i mos përfaqësimit, qoftë në rast anashkalimi të impenjimit në çështjen, me rastin e injorimit të pjesëmarrjes apo mospërfshirjes së qëllimshme për mos zbatimin e detyrimeve kushtetuese, qoftë edhe minimizimit të pjesëmarrjes dhe komunikimit nëpërmjet reagimeve, demanteve apo sqarimeve, do shmangur me patjetër, në funksion të zbatimit të ligjit.