Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një komunikimi live në Facebook mbrëmjen e djeshme njoftoi gjithë ndryshimet që do të ndodhin në vijim. Sipas tij, 1 qershori përkon me hapjen totale të vendit, por jo heqjen e kufizimit të fundjavave. Disa prej ndryshimeve më të rëndësishme vijojnë si më poshtë:
Hapja e plazheve:
Rama u shpreh se nga e hëna e 1 qershorit do të hapen kufijtë tokësorë me fqinjët dhe plazhet vetëm për hotelet. E gjithë pjesa tjetër e plazheve do të hapet për të gjithë qytetarët pa përjashtim më 10 qershor.
Fasha orare:
Kreu i vendit tha se kjo do të jetë java e fundit me kufizime të fashës orare dhe që nga 1 qershori do të hiqet, si në Tiranë ashtu dhe në të gjithë qytetet e tjera.
Mbyllja e fundjavave:
Fundjavat e mbyllura do të vijojnë edhe në 2 javët e ardhshme, pavarësisht se pas 1 qershorit lirohet fasha orare.
“Fundjava pa makina do të mbetet në fuqi edhe dy të shtuna e të diela për t’u rikthyer pas sezonit të verës ku çdo të diel minimalisht nga tetori deri në marsin e ardhshëm, si një moment të përjavshëm për t’ja kushtuar mjedisit, të moshuarve dhe fëmijëve e familjeve tona.”
Në lidhje me transportin publik:
Kreu i vendit njoftoi se hapja e transportit publik do të bëhet duke hapur pjesë-pjesë linjat e transportit publik, por strategjia e qartë se si do të funksionojë pritet të publikohet në fund të muajit maj.
“Deri në fund të muajit do të kemi strategjinë e re të transportit publik dhe do t’i hapim, pjesë-pjesë linjat e transportit publik, duke vënë në jetë një reformë tërësore të këtij sektori, me një pjesëmarrje direkte të shtetit në garantimin e standardeve të reja. Jo thjeshtë në funksion të mbrojtjes së shëndetit sot, por edhe të rritjes së ndjeshme të cilësisë së shërbimit në transportin publik urban dhe ndër urban nesër.”